BALLKAN, 3 August 2026, 19:13

Dalin pamjet, 26-vjeçari afgan tërheq i qetë valixhen me trupin e pajetë të 38-vjeçares në qendër të Athinës (VIDEO)

Detaje të reja tronditëse kanë dalë nga hetimi për vrasjen e 38-vjeçares britanike Elizabeth Ross në Athinë, ndërsa policia ka zbuluar pamje që tregojnë lëvizjet e të dyshuarit pas krimit.

videon e siguruar nga autoritetet greke, 26-vjeçari afgan shfaqet në qendër të Athinës duke tërhequr një valixhe të madhe me qetësi në rrugë, sikur të ishte duke transportuar bagazhe për një udhëtim. Por brenda saj, sipas hetimeve, ndodhej trupi i 38-vjeçares britanike, e cila ishte vrarë pak më herët.

Sipas hetuesve, i riu kishte planifikuar të zhdukte trupin e viktimës në një banesë të braktisur në zonën e Kypselit, ku ai u gjet tetë ditë pas vrasjes. Paralelisht, ai dyshohet se nisi një përpjekje për të fshehur krimin, duke përdorur telefonin e viktimës dhe duke u dërguar mesazhe të afërmve të saj, në mënyrë që të krijonte përshtypjen se ajo ishte ende gjallë.

Hetimi mori një kthesë vendimtare pasi identiteti i viktimës u konfirmua përmes bashkëpunimit me zyrën e Interpolit në Uashington. Pas këtij momenti, autoritetet nisën të rindërtonin lëvizjet e saj dhe kontaktet e fundit. Sipas të dhënave të hetimit, në mbrëmjen e 16 korrikut, i dyshuari është filmuar duke mbërritur në zonën e Eksarkisë, ku ai dhe partnerja e tij jetonin. Pak më vonë, kamerat e sigurisë e kanë kapur duke dalë nga ndërtesa me një valixhe të madhe.

 

Në orën 22:43 ai është parë duke ecur në rrugën Evelpidon me valixhen ku dyshohet se ndodhej trupi i 38-vjeçares dhe një çantë tjetër. Vetëm disa minuta më vonë, kamerat e kanë regjistruar duke u larguar nga zona pa valixhen dhe pa çantën. Policia dyshon se viktima, e cila kishte mbërritur në Greqi nga Edinburgu më 29 qershor për angazhime vullnetare humanitare, kishte qenë në kontakt me të dyshuarin përpara vdekjes së saj.

Hetuesit kanë vënë re gjithashtu se pas zhdukjes së saj, mesazhet e dërguara nga telefoni i saj kishin ndryshime në stil dhe mënyrën e komunikimit, duke ngritur dyshime se pajisja po përdorej nga një person tjetër. Një tjetër element i rëndësishëm për hetimin është dëshmia e partneres së 26-vjeçarit, e cila pasi mësoi identitetin e viktimës nisi të dyshonte për përfshirjen e tij. Ajo u largua nga banesa me fëmijën e saj dhe dorëzoi në polici një telefon të ri dhe një shumë parash që, sipas saj, ia kishte dhënë i dyshuari pas zhdukjes së britanikes.

Autoritetet greke po vijojnë hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e vrasjes dhe motivin e saj.