TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ka nisur riatdhesimi i fëmijëve dhe grave shqiptare të bllokuar në kampin “Al Hol” të Sirisë.
Lajmi është dhënë nga Gjysmëhëna e Kuqe e Sirisë, sipas të cilës gratë dhe fëmijët janë trajtuar fillimisht nga mjekë dhe më pas do të nisen për në Shqipëri.
“Nën udhëzimet e Khaled Hboubati, president i Gjysmëhënës së Kuqe Siriane po bëhet i mundur transferimi i fëmijëve dhe grave shqiptare nga kampi Al Hol në Hasekeh të Sirisë. Ata janë shoqëruar fillimisht për në Damask dhe më pas do të bëhet transferimi për në Shqipëri“, shkruan Gjysmëhëna e Kuqe Siriane në Facebook.
Një numër i madh grash dhe fëmijësh nga Shqipëria kishin ngecur në këtë kamp të kontrolluar nga forcat kurde prej disa vitesh. Bëhet fjalë për familjarë të luftëtarëve shqiptarë që kishin shkuar për të luftuar në krah të grupeve radikale kundër Presidentit Asad në Siri.
Një pjesë e tyre mbetën të vrarë duke lënë gratë dhe fëmijët vetëm, ndërsa të tjerë u shpërndanë pas marrjes së territorit nën kontroll nga forcat kurde.
Pasi morën zonën nën kontroll, kurdët i mblodhën gratë dhe fëmijët e xhihadistëve shqiptarë në kampin “Al Hol” me qëllim mbajtjen e tyre nën kontroll.
Nga i njëjti kamp i riatdhesua edhe vogëlushi shqiptar Alvin Berisha, ngjarje e cila bëri bujë disa muaj më parë.
Një pjesë e mirë e vendeve i kishin tërhequr qytetarët e tyre nga kampi në fjalë, ndërsa shqiptarët mbetën aty deri ditën e sotme, ku nje pjesë e tyre janë nisur për në Shqipëri.
Pritet që në ditët në vijim të bëhet edhe transferimi i të tjerëve.