AKTUALITET, 1 Prill 2019, 14:42

Nis gara për Prokuror të Përgjithshëm, nëntë kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët

Nis gara për Prokuror të Përgjithshëm,  nëntë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shpallur fillimin e procedurës për përzgjedhjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm.

Sot, ky organ, i cili do të monitorojë të gjithë procedurën e përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë, ka bërë thirrje publike për kandidatët që do të bëhen pjesë e procesit dhe që plotësojnë kriteret e miratuara në rregulloren e re.

Sipas njoftimit të KLP-së kandidatët duhet:

1. Të kenë 15 vjet përvojë pune si juristë të spikatur;

2. Të jenë diplomuar në Shkollën e Magjistraturës ose të kenë gradë shkencore në drejtësi;

3. Të mos kenë mbushur moshën e daljes në pension sipas nenit 64, pika 3 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”

4. Të mos kenë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit, para dorëzimit të shprehjes së interesit për Prokuror të Përgjithshëm, funksione politike në administratën publike;

5. Të mos kenë mbajtur gjatë 10 viteve të fundit pozicione drejtuese në partitë politike;

6. Të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991, në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”;

7. Të mos kenë qenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;

8. Të mos kenë qenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve të inteligjencës;

9. Të mos kenë masë disiplinore në fuqi.

Emri i ri që do të dalë pas përfundimi të këtij procesi do të zëvendësojë Arta Markun e cila mban këtë pozicion prej më shumë si një viti si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme.

Gjithashtu mësohet se Marku me shumë mundësi do të jetë pjesë e garës për të qëndruar sërish në këtë pozicion.

Ndërkohë përveç kandidimit të Arta Markut, prokurorët e tjerë që pritet të garojnë për këtë post janë Olsian Çela, Adnan Xholi dhe Plarent Ndreca.