BOTA, 2 November 2026, 22:11

Ngërç politik në Izrael/ Netanyahu këmbëngul të mbetet kryeministër, opozita mbështet Eisenkotin për formimin e qeverisë

Ngërç politik në Izrael/ Netanyahu këmbëngul të

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është shprehur i gatshëm të zhvillojë bisedime për formimin e një qeverie të gjerë, por ka këmbëngulur se ai duhet të vazhdojë të jetë në krye të ekzekutivit.

Përmes një reagimi në rrjetin social X, Netanyahu deklaroi se partia e tij, Likud, synon të krijojë një qeveri të gjerë me partnerët aktualë dhe çdo parti tjetër që është e gatshme të bashkëpunojë dhe që nuk mbështet terrorizmin.

“Likud aspiron të formojë një qeveri të gjerë me partnerët tanë dhe me çdo parti që dëshiron ta bëjë këtë dhe nuk mbështet terrorizmin”, shkroi Netanyahu, duke shtuar: “Jam i hapur për të zhvilluar një dialog mbi këtë çështje”.

Ai pretendoi se shumica e qytetarëve izraelitë nuk dëshirojnë një qeveri që varet nga mbështetja e Ra’am dhe Listës së Përbashkët, dy formacione parlamentare arabe.

“Që nga dita e parë, dora jonë është shtrirë për të krijuar një qeveri të gjerë kombëtare”, deklaroi ai.

Netanyahu kërkoi gjithashtu që rezultati i zgjedhjeve parlamentare të interpretohet si një mandat për të vazhduar drejtimin e vendit.

“Një shumicë e qartë e publikut hebre zgjodhi Likudin si partinë më të madhe dhe mua, si kryeministër, për të udhëhequr qeverinë e ardhshme”, u shpreh ai.

Opozita mbështet Gadi Eisenkotin për formimin e qeverisë

Ndërkohë, partia “Së bashku” e ish-kryeministrit Naftali Bennett, Demokratët e Yair Golan dhe Yisrael Beytenu e Avigdor Lieberman kanë vendosur t’i rekomandojnë presidentit Isaac Herzog që mandatin për formimin e qeverisë së ardhshme t’ia besojë udhëheqësit të Yashar, Gadi Eisenkot.

Mbështetja e këtyre partive i siguron Eisenkotit rekomandimin e 48 ligjvënësve.

Dy listat parlamentare arabe pritet gjithashtu të rekomandojnë kandidaturën e tij, çka mund ta çojë numrin e mbështetësve në 67 ligjvënës në Knessetin me 120 vende.

Në zgjedhjet e javës së kaluar, blloku i Netanyahut siguroi 53 vende, ndërsa partitë opozitare fituan 48 dhe partitë arabe 19 vende. Kështu, asnjëri prej blloqeve nuk arriti të sigurojë shumicën parlamentare.

Megjithatë, rekomandimet drejtuar presidentit Herzog nuk garantojnë automatikisht krijimin e një koalicioni qeverisës. Avigdor Lieberman ka përjashtuar mundësinë e bashkimit me një qeveri që përfshin partitë arabe ose që varet nga mbështetja e tyre parlamentare.

Presidenti Isaac Herzog pritet të nisë të mërkurën dy ditë konsultimesh me fraksionet parlamentare, përpara se të vendosë se cilit ligjvënës do t’i japë mandatin për formimin e qeverisë së re.