TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nathalia Gadelha Filgueiras, 20 vjeçe, është identifikuar si bashkëpilotja e avionit të tipit Learjet 60, i cili u rrëzua më 1 nëntor në Palm Beach të Floridës, duke shkaktuar vdekjen e të nëntë personave që ndodheshin në bord.
E reja kishte arritur të merrte licencën e pilotimit në moshën 17-vjeçare dhe synonte të ndërtonte një karrierë në aviacionin komercial. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, ajo kishte grumbulluar më shumë se 1.300 orë fluturimi dhe punonte për kompaninë e fluturimeve charter Upper Jets, me seli në Fort Lauderdale.
Detaje të reja rreth momenteve të fundit para aksidentit janë zbuluar përmes regjistrimeve audio të komunikimeve mes ekuipazhit dhe kontrollit të trafikut ajror. Në regjistrim dëgjohet një zë femëror duke paralajmëruar: “Look outside, Jack!” (Shiko nga dritarja, Jack!), ndërsa avioni po humbiste me shpejtësi lartësinë. Në sfond dëgjohet gjithashtu një zë mashkullor duke u lutur.
Identiteti i personit të cilit i drejtohej Gadelha nuk është konfirmuar nga autoritetet, ndërsa mediat kanë raportuar se në regjistrim dëgjohet edhe një person duke recituar lutjen “Ati ynë”.
Sipas të dhënave të publikuara nga mediat amerikane, ekuipazhi kishte raportuar fillimisht turbulenca të moderuara, akull në avion dhe reshje. Piloti kishte kërkuar të ngjiteshin në një lartësi tjetër, por situata u përkeqësua brenda pak çastesh.
Në komunikimet me kontrollin ajror dëgjohet fillimisht raportimi për një zbritje me 8.000 këmbë në minutë, më pas 10.000 dhe, në vijim, 20.000 këmbë në minutë. Në një moment, ekuipazhi deklaron emergjencën dhe raporton se avioni po zbriste me rreth 22.000 këmbë në minutë, ndërsa ishte i anuar me 60 gradë.
“Ne do të përplasem në tokë”, dëgjohet të thotë një nga personat në kabinë. Kontrollori ajror i përgjigjet: “Jam këtu me ju. Flisni me mua”.
Pak çaste më vonë dëgjohen britma dhe paralajmërimi i bashkëpilotës, përpara se komunikimi të ndërpritet. Sipas raportimeve të FOX 13 dhe mediave të tjera, nga momenti kur ekuipazhi raportoi përkeqësimin e kushteve deri në rrëzimin e avionit kaluan më pak se tre minuta.
Identiteti i saj u konfirmua nga nëna, Camila Corteleti, dhe njerku i saj. Nëna e përshkroi Nathalian si një vajzë të apasionuar pas aviacionit që në fëmijëri. Sipas saj, e reja kishte ëndërruar të bëhej pilote që në moshën 12-vjeçare, pasi kishte kaluar shumë kohë duke vëzhguar avionët në aeroportin e Boca Raton dhe ishte frymëzuar edhe nga fluturimet me të atin, i cili ishte pilot rekreativ.
Nëna e saj theksoi gjithashtu se Nathalia ishte një person i përgjegjshëm dhe punëtor, ndërsa sqaroi se, si bashkëpilote, ajo nuk kishte autoritetin për të marrë vendimet përfundimtare gjatë fluturimit.
Avioni ishte nisur nga Austin, Teksas, drejt aeroportit North Eleuthera në Bahamas, kur u rrëzua në një zonë të banuar pranë Cresthaven, në Palm Beach County.
Sipas raportimeve, Learjet 60 u përplas pranë një rruge dhe shpërtheu në flakë, duke krijuar një krater të madh dhe duke dëmtuar linjat elektrike në zonë. Pamjet e publikuara tregojnë avionin duke u zhytur me shpejtësi drejt tokës, përpara se të shpërthente në një top të madh zjarri.
Autoritetet lokale njoftuan se rreth 600 persona u evakuuan nga zona, pasi aksidenti bllokoi hyrjen në një park banesash të lëvizshme. Deri në raportimet e para, nuk kishte të dhëna për persona të lënduar apo viktima në tokë.
Nathalia ishte rritur në Palm Beach dhe kishte tërhequr vëmendjen e mediave lokale që në vitin 2023, kur u bë një nga të rejat që mori licencën e pilotimit në moshën 17-vjeçare, madje përpara se të pajisej me patentë drejtimi.
Ajo kishte nisur trajnimet për pilote në vitin 2020 dhe, në kohën kur dha një intervistë për CBS12, kishte regjistruar 88 orë fluturimi dhe kishte kaluar provimet teorike. Trajnimi i saj ishte financuar nga Akademia e Aviacionit e Distriktit Shkollor të Qarkut Palm Beach, ku nxënësit përgatiten përmes simulatorëve të fluturimit dhe dronëve.
Në atë kohë, ajo kishte treguar se i pëlqente të bënte gjëra ndryshe nga të tjerët, duke theksuar se, megjithëse nuk dinte të drejtonte një makinë, mund të pilotonte një avion.
E reja ishte diplomuar në shkollën e mesme West Boca Raton dhe kishte përfunduar studimet në American Flyers, një shkollë fluturimi me qendër në Teksas dhe degë në Florida.
Në një nga postimet e saj në rrjetet sociale, Nathalia kishte publikuar një video duke fluturuar me partnerin e saj, Justin. Ajo kishte shkruar se të dy ishin pilotë nën moshën 21 vjeç dhe zotëronin licenca komerciale, për avionë shumëmotorësh dhe fluturime instrumentale.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të rrëzimit. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) konfirmoi aksidentin, ndërsa hetimin kryesor po e udhëheq Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB). Shkaku i rrëzimit nuk është përcaktuar ende, ndërsa kushtet atmosferike, përfshirë akullin dhe turbulencat e raportuara nga ekuipazhi, janë ndër elementet që po shqyrtohen.