AKTUALITET, 30 September 2026, 18:08

‘Nga Veliaj te Belinda, të gjithë jashtë burgut’, Shehaj: Rama sjell në parlament ligjin në mbrojtje të të korruptuarve 

‘Nga Veliaj te Belinda, të gjithë jashtë burgut’,

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale synojnë të lirojnë bashkëpunëtorët e tij që janë nën hetim apo përballë drejtësisë. 

“Edi Rama doli zbuluar! Ja ku e keni projektligjin nëpërmjet të cilit do të nxjerrë nga burgu Erion Veliajn dhe do të pengojë arrestimin e Belinda Ballukut dhe të bashkëpunëtorëve të tjerë të akuzuar për korrupsion”, deklaroi Shehaj.

Sipas kryetarit të Partisë Mundësia, projektligji kufizon arrestin me burg dhe vendos kufij të rinj për mbledhjen e provave nga pajisjet elektronike. 

“Projektligji detyron gjykatat të rishikojnë brenda 60 ditëve masat e sigurimit që janë sot në fuqi. Kufizon arrestin me burg dhe në plot raste e bën atë të pamundur. Po ashtu, vendos kufij për marrjen e provave nga celularët dhe kompjuterët.”

Sipas Shehajt, ndryshimet synojnë të dobësojnë instrumentet që drejtësia ka në dispozicion.

“Rama i pret krahët drejtësisë me projektligjin e sotëm. Si e si të ndalojë drejtësinë.”

Në fund, ai bëri thirrje për mbështetjen e institucioneve të drejtësisë.

“Prandaj duhet të mbështesim drejtësinë, sepse nëse këtë luftë e fiton Rama, do të humbasim të gjithë. Do të humbasim të ardhmen tonë.”