TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas prezantimit nga kryeministri Edi Rama të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, duke e akuzuar kreun e qeverisë se po kërkon të ndryshojë rregullat e paraburgimit për interesa personale.
Rama prezantoi këtë të mërkurë paketën e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, duke deklaruar se arresti me burg duhet të jetë masa e fundit dhe se procesi penal duhet të nisë nga “zona e lirisë”. Sipas draftit të prezantuar, për veprat me dënim maksimal nën 5 vite nuk do të caktohet më masa e arrestit me burg.
Por Bardhi e ka interpretuar nismën ndryshe, duke pretenduar se Rama po kalon “nga burg për të gjithë, te liria për vete”.
“Një ligj i ri për hallet e vjetra të Ramës!”, shkruan Bardhi, ndërsa sjell në vëmendje politikat penale të viteve të para të qeverisjes socialiste.
Sipas tij, kryeministrit “nuk i intereson se kush rri në paraburgim me të drejtë dhe kush jo”, pasi, siç pretendon Bardhi, që nga ardhja në pushtet Rama e ka përdorur burgun si përgjigje ndaj një sërë problematikash, nga ndërtimet pa leje dhe vjedhja e energjisë, te puna në të zezë dhe shkeljet gjatë pandemisë.
“Sa herë ai dështonte të mbante një premtim elektoral, përgjigjja politike ishte e njëjta: më shumë penalizim, më shumë burg”, shprehet Bardhi.
Më tej, kreu i grupit parlamentar demokrat ngre pyetjen se përse, sipas tij, kryeministri ndryshoi qëndrim ndaj paraburgimit vetëm vite më vonë. Sipas tij, pika e kthesës ishte arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në shkurt të vitit 2025.
Bardhi e lidh më tej nismën e re edhe me zhvillimet e fundit të drejtësisë, duke përmendur Ergys Agasin dhe Belinda Ballukun dhe duke pretenduar se ndryshimet po bëhen për interesat e vetë kryeministrit.
“Jo se i dhimbset Veliaj. Edi Rama po punon për veten. Ergys Agasi ka shumë për të thënë. Belinda Balluku ka shumë për të thënë. Besoj të gjithëve u kujtohet deklarata publike se SPAK-u nuk ia merrte dot telefonin Edi Ramës”, shkruan Bardhi.
Në përfundim, Bardhi e cilëson paketën e re si një ligj të hartuar sipas interesave të Ramës.
“Ndryshimet e sotme shpjegojnë gjithçka. Deri tani Edi Rama ka bërë ligje me porosi për të tjerët. Sot, po qep një ligj sipas masës së vet”, përfundon Gazment Bardhi.
Reagimi
Një ligj i ri për hallet e vjetra të Ramës!
Edi Ramës nuk i intereson se kush rri në paraburgim me të drejtë dhe kush jo. Po t’i interesonte vërtet, nuk do ta kishte shpallur dhe ndjekur “BURGUN” si rrugën e shkurtër të zgjidhjes së çdo problemi social në Shqipëri, që ditën e parë të ardhjes në pushtet. Burg për ndërtimet pa leje. Burg për energjinë. Burg për punën në të zezë. Burg gjatë COVID-it. Sa herë ai dështonte të mbante një premtim elektoral, përgjigjja politike ishte e njëjta: më shumë penalizim, më shumë burg.
Në tetor 2014, gjatë operacionit për energjinë, u arrestuan mbi 1 mijë persona vetëm në muajt e parë. Një politikë që pati edhe histori tragjike. Qamil Zela, 52 vjeç, baba i tre fëmijëve, qëndroi dy muaj në paraburgim për një borxh prej 35 mijë lekësh të vjetra dhe, më 28 dhjetor 2014, u vetëvar në qeli.
Prandaj Edi Rama nuk mund ta sjellë sot Këshillin e Europës sikur sapo ka zbuluar se Shqipëria ka problem me paraburgimin. Këshilli i Europës e kishte thënë këtë që në muajt e parë të qeverisjes së tij. Më 16 janar 2014, Këshilli i Europës paralajmëroi për “mbështetjen e tepruar te paraburgimi” dhe rekomandoi që kjo masë të përdorej vetëm si zgjidhje e fundit, duke u dhënë përparësi alternativave. Raporti i Këshillit të Europës konstatoi se, nga tetori 2013 deri në shkurt 2014, numri i të paraburgosurve ishte dyfishuar, duke arritur rreth 2,300 persona, ose afërsisht 40% të të gjithë popullsisë së burgjeve.
Pra, Edi Rama e dinte. Paralajmërimi europian ishte bërë dhe shkaktari ishte identifikuar: politika e qeverisë.
Atëherë, kur iu kujtua Edi Ramës se liria duhet të jetë rregulli dhe burgu përjashtimi?
Sigurisht, jo në vitin 2014, kur Këshilli i Europës ngrinte alarmin. Jo kur, sapo ai erdhi në pushtet, paraburgimet u dyfishuan. Dhe jo kur Qamil Zela u vetëvar në paraburgim për energjinë elektrike.
Edi Rama u kujtua se kishte shkaktuar këtë problem në shkurt 2025, pas arrestimit të Erion Veliajt.
Më 12 shkurt 2025, dy ditë pas arrestimit, Edi Rama foli për “burgosje pa gjyq” të Veliajt dhe tha se gjykimi mund të vazhdonte në gjendje të lirë. Vetëm atëherë zbuloi edhe “zonën e lirisë” të Këshillit të Europës.
Jo se i dhimbset Veliaj. Edi Rama po punon për veten. Ergys Agasi ka shumë për të thënë. Belinda Balluku ka shumë për të thënë. Besoj të gjithëve u kujtohet deklarata publike se SPAK-u nuk ia merrte dot telefonin Edi Ramës.
Ndryshimet e sotme shpjegojnë gjithçka.
Deri tani Edi Rama ka bërë ligje me porosi për të tjerët. Sot, po qep një ligj sipas masës së vet.