AKTUALITET, 28 Prill 2020, 10:44

Në kërkim për trafik ndërkombëtar droge në Francë, Prokuroria e Posaçme kërkon 15 vjet burg për Domart Konjarin

Në kërkim për trafik ndërkombëtar droge në


Prokuroria e Posacme ka kërkuar 15 vjet burg për Domart Konjarin, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge në Francë.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për “Balkanweb” se akuza zyrtare ndaj Konjarit është trafiku i lëndëve narkotike. Ai është në kërkim nga autoritetet franceze.

KUSH ËSHTË DOMART KONJARI:

Konjari ka 4 vite ne arrati dhe akuzohet për një sërë veprash penale në Francë si, “trafik ndërkombëtar droge” dhe “krijimi i organizatave kriminale”. Gjykata i konsideroi të ezauruara procedurat ligjore për njoftimin e të pandehurit në lidhje me procesin.

Por Gjykata e Krimeve të Rënda e refuzoi këtë kërkesë, duke vijuar procedimin në Shqipëri në mungesë të të pandehurit. Domart Konjari u arrestua në nëntor të vitit 2015, për llogari të autoriteteve franceze.

Mirëpo, pesë muaj më vonë, Apeli i Krimeve të Rënda zbuti masën e sigurimit ndaj Konjarit, nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitjeje”.

Kjo bëri që Konjari të arratisej dhe të jetë ende në kërkim. Në dosjen që Krimet e Rënda kanë marrë nga autoritetet franceze, renditen me detaje të gjitha veprimtaritë e Konjarit në Shqipëri, Francë, Holandë, Belgjikë, Spanjë, Itali dhe Gjermani.

Konjari dyshohet se drejtonte rrjetin e trafikut të kokainës, pasi mendohet se ka lidhje direkte me burimin e prodhimit të saj në Amerikën e Jugut. Si pasojë e këtij rrjeti, influencës në treg dhe shpërndarjes së drogës në Europë, hetuesit francezë thonë se kanë ndodhur edhe disa vrasje, ku në dy raste, 44-vjeçari Konjari u ka shpëtuar atentateve me armë.

Në dosje, emri i Konjarit përmendet si i përfshirë direkt ose indirekt në disa vrasje për trafikun e drogës. Aty përmendet vrasja e 29 gushtit të vitit 1998, kur është ekzekutuar Gentian Dervishi, i njohur ndryshe me nofkën “Gent Kadaifi”.

Vrasja ndodhi pranë “Shkollës së Kuqe”, në Tiranë. Më pas, emri i Konjarit del në vrasjen e ndodhur në vitin 2003, në qytetin Rene të Francës, ku u vra Erion Murati për një mosmarrëveshje për trafikun e drogës. Lista e atentateve ku dyshohet se ishte përfshirë Konjari, vijon me ngjarjen e 3 gushtit të vitit 2005 në Tiranë, ku u ekzekutua Fatjon Naxhaku.

LIRIMI I KONJARIT

Lirimi i Domart Konjarit nga ana e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda solli edhe një përplasje mes Shqipërisë dhe Francës. Ambasadori francez në Shqipëri, në atë kohë reagoi ashpër ndaj drejtësisë shqiptare.

Edhe ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Ylli Manjani kërkoi ndjesë për vendimin e Apelit, duke nisur një inspektim për mënyrën se si u ndryshua masa e sigurisë ndaj Konjarit.

Por megjithatë, Gjykata e Lartë, në maj të vitit 2016, i dha të drejtë Apelit të Krimeve të Rënda duke rrëzuar rekursin e Prokurorisë.