AKTUALITET, 21 Shtator 2019, 11:46

Habit Muç Nano: Duhet të jemi racional me Enver Hoxhën, se po na del manjak, pedofil, pervers, vrasës manjak...

Habit Muç Nano: Duhet të jemi racional me Enver Hoxhën, se po

Moderatori i emisionit “Provokacija”, në ABC News, Mustafa Nano,  ka mbajtur një monolog për librin e Isuf Kalos dhe figurën e Enver Hoxhës. Sipas tij, tashmë që jemi 30 vite pas përmbysjes së komunizmit, duhet ta gjykojmë në mënyrë më racionale diktatorin Enxer Hoxha.

 “Kam vënë re që ca e ca vijojnë të flasin për Enver Hoxhën ashtu si kanë folur një ditë pas përmbysjes së regjimit të tij, domethënë duke shtënë në punë veç mllef, urrejtje, neveri, apo ku di unë. Kur bëhet ky diskutim, njerëz të tillë, që rëndom kanë edhe përvoja personale vuajtjesh e persekucioni, përpiqen ta likujdojnë Enver Hoxhën si personazh të historisë thjesht duke thënë se ai ishte një maskara, qen e bir qeni, një armik i popullit të vet, një tradhtar, etj, etj. Unë mendoj se 30 vjet pas rënies së komunizmit mund të jemi pak më racionalë. Dhe të jesh racional nuk do të thotë të mohosh që ai ka qenë një diktator. Jo, kjo gjë tanimë është e dokumentuar. Edhe komunisti më budalla, thellë-thellë, bie dakord se Enver Hoxha ishte një diktator.

Të jesh racional do të thotë të mos thuash mufka që synojnë panevojshmërisht ta shndërrojnë figurën e Hoxhës nga katran në katran me bojë, që e nxjerrin atë si bartës të gjithë të këqijave apo veseve të botës, që e nxjerrin atë edhe pervers, pedofil, manjak seksual, vrasës manjak. Ah, se harrova, edhe homoseksual. Sepse dihet se çfarë mendojnë shqiptarët për një homoseksual.

Të jesh racional është edhe të mos thuash, siç thotë Ylljet Aliçka në një libër që sapo e ka publikuar, që një grua u dënua me vdekje thjesht se Enver Hoxha donte ta kishte si të dashur dhe se ajo i tha “jo”. Për këtë “krim”, ajo u fut në dhé e gjallë. Madje, fshatarët e zonës, ku kësaj gruaje i bënë gropën, u lemerisën teksa dëgjonin ca rënkime të dala nga thellësia e tokës, që ishin rënkimet e kësaj gruaje duke dhënë shpirt. Tani, gjatë regjimit të Enver Hoxhës ka pasur pa fund drama e tragjedira humane. Kjo nuk diskutohet, siç nuk diskutohet që fajtori kryesor për ato ka qenë Enver Hoxha. Ne mund të stisim edhe tragjedira të tjera në një roman fiction. Por mund t’i vëmë pak fré fantazisë dreqi ta hajë! Një njeri që futet i gjallë nën dhé nuk ka se si të rënkojë. Aq më pak ka gjasa që rënkimet e saj të jenë dëgjuar nga fshatarët e lemerisur. Sepse do të ketë dhënë shpirt shumë kohë para se toga e varrmihësve apo xhelatëve të kenë mbledhur rraqet e të jenë larguar. Le ta themi copë: Përshkrime të tilla na ndihmojnë të nxjerrim dufin ndaj diktatorit, por nuk na ndihmojnë për të kuptuar se kush ishte në të vërtetë ai”, u shpreh Nano në emision.