TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Motra e ekstremistit grek Kacifas, ka kërkuar që familja të njihet me të gjitha informacionet që disponon Policia e Shtetit lidhur me aksionin në Bularat.
Motra e 35- vjeçarit, duke pretenduar për një veprim të padrejtë nga forcat e Policisë për ta qëlluar, shprehet se e vërteta gjendet te bisedat mes punonjësve të Policisë si dhe nga pamjet që ka kapur helikopteri.
“Duam të dimë të vërtetën sesi ka ndodhur ngjarja. Të zbardhen tabulatet e bisedave të punonjësve të Policisë gjatë aksionit në Bularat. Gjithashtu, të dalin pamjet që ka kapur helikopteri nga lart”, shprehet motra.
Në deklaratën e parë për mediat, ajo flet për një gjendje të rëndë psikologjike ku ndodhet familja e saj dhe për këtë arsye kërkon që të mësohen rrethanat ku mbeti i vrarë Konstandinos Kaçifas.
“Jemi në një gjendje shumë të rëndë. Duam të dalë e vërteta, të mësojmë fiks çfarë ndodhi, duam të dëgjojmë bisedat e policëve nga celularët e tyre”, përfundon ajo.
Gjatë festës së përvitshme në përkujtim të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin e Shqipërisë, Konstandin Kaçifa hapi zjarr ndaj një makine Policie në Bularat. Policia, e cila ishte stacionuar në qendër të fshatit për mbarëvajtjen e festës, menjëherë është nisur në drejtimin nga janë dëgjuar të shtënat.
Kaçifa, sapo ka parë shërbimet e Policisë që po afroheshin në drejtim të tij, ka hapur sërish zjarr me breshëri duke rrezikuar jetën e tyre. Për këtë arsye, u kërkua përforcim dhe pas rreth 6 orë ndjekjeje, 35- vjeçari mbeti i vrarë. Në ndihmë të shërbimeve të Policisë së Gjirokastër shkoi edhe një helikopter i Ministrisë se Brendshme dhe forcat speciale RENEA nga Tirana.
Kaçifa u qëllua për vdekje pas refuzimit për t’u dorëzuar, ndërkohë që ka shkëmbyer për rreth 30 minuta zjarr me forcat e Policisë, duke rrezikuar jetën e këtyre të fundit për shkak edhe të terrenit ku qëndronte i fshehur.
Ndërkaq, dje, në Athinë disa persona të maskuar kanë sulmuar një zyrë turistike shqiptare me bombë molotov, duke shkaktuar dëme të shumta materiale, por ende nuk është konfirmuar nëse ngjarja ka lidhje si shenjë hakmarrjeje për vrasjen e të riut.