Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, ka komentuar sot deklaratën e kryeministrit Edi Rama, që bëri bujë në rrjetet sociale, kur tha se sipërmarrjet në Shqipëri të marrin më mirë punonjës nga Bangladeshi “që i ke pronto e nuk dinë as shqip e nuk bëjnë thashetheme”.
Në një deklaratë për mediat, Vasili thotë se Rama, “pa iu dridhur syri aspak, deklaroi publikisht që i përçmon shqiptarët, i urren ata, e urren shqipen që ata flasin, e urren Europën, e urren botën, e urren demokracinë. Ai tregoi qartë që shqiptarët nuk kanë asnjë rëndësi, por rëndësi ka që të vijnë skllevër të kohëve moderne nga Bangladeshi, nga Afganistani, nga India e kudo gjetkë”.
Vasili thotë se sot “është dita më e rëndë se çdo herë tjetër, pasi shqiptarët kanë të ulur në karrigen e kryeministrit, armikun më të egër të tyre, i cili u tregon derën shqiptarëve, të cilët me qindra e mijëra largohen nga Shqipëria, sepse nuk i do”.
Deklarata për mediat e Nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili ?
Posted by Lëvizja Socialiste për Integrim on Thursday, April 1, 2021
Pjesë nga deklarata e Vasilit
“Edi Rama do shqiptarë të varfër, që jetojnë në skamje, që nuk votojnë, që nuk protestojnë, që nuk vendosin për fatet e tyre, do thjesht dhe vetëm skllevër, shurdh memecë.
Kjo nuk ka për të ndodhur kurrë. Shqiptarët kanë për të luftuar për të drejtat e tyre për lirinë, për pluralizmin, për demokracinë dhe në vitet shumë të vështira të diktaturës ku me mijëra kanë humbur jetën.
Dhe në 25 prill do të japin atë goditje të tmerrshme, përfundimtare që do të jetë mësim për këdo të marrë në Shqipëri që do të guxonte të diskutonte e të vinte në diskutim fatin e shqiptarëve, të lirive të demokracisë së tyre dhe për të shuar njëherë e përgjithmonë nga memoria e shqiptarëve njeriun më të zi dhe më të urryer që i luftoi me çdo mjet e me çdo kusht ata.
Mos e harroni këtë video dhe në 25 prill votoni duke pasur në mend që ky njeri të largohet njëherë e më parë e të ndëshkohet për gjithë këtë urrejtje që ia ka ndaj popullit tonë, popullit shqiptar.
Shqipëria është shtëpia jonë, kështu do të mbetet, armiqtë do t’ua tregojnë vendin në 25 prill atje ku e meritojnë”.