AKTUALITET, 1 Prill 2021, 13:18

“E papranueshme” OBSH kritikon Europën: Po bëni fushatë vaksinimi shumë të ngadaltë!

“E papranueshme” OBSH kritikon Europën: Po bëni

Vaksinimi kundër koronavirusit në Evropë është “i ngadaltë” dhe kjo gjë është e “papranueshme”, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Vetëm 10% e popullsisë në Europë kanë marrë dozën e parë të vaksinës, sipas drejtorit të OBSH për Europën, Hans Kluge.

“Shpërndarja e këtyre vaksinave është shumë e ngadaltë”, tha ai në një deklaratë.

“Ne duhet ta përshpejtojmë procesin duke përshpejtuar prodhimin, duke zvogëluar pengesat për administrimin e vaksinave dhe duke përdorur çdo dozë të vetme që tani kemi nëpër depo”, tha ai.

Ndryshe nga Europa, Mbretëria e Bashkuar ka qenë më e suksesshme me vaksinimin anti-Covid. Deri në këto momente, janë vaksinuar rreth 31 milionë persona, gjysma e popullsisë mbi 18 vjeç.

“Teksa variantet e reja janë shqetësim dhe ato po vazhdojnë të përhapen, rastet që kërkojnë shtrim në spital po rriten”, tha ai.

“Përshpejtimi i procesit të vaksinimit është themelor”, theksoi Kluge.

Përveç numrit të reduktuar të dozave, në Europë ka patur kaos me vaksinimin për shkak të raportimeve për efekte anësore të AstraZeneca, ndërkohë që EMA ka deklaruar se vaksinimi duhet të vijojë. Gjermania do ta përdorë AstraZeneca vetëm për personat mbi 60 vjeç. Ping-pongu i deklaratave ka shtuar dyshimet për vaksinën, duke rritur skepticizmin për vaksinën.