AKTUALITET, 18 Korrik 2019, 19:27

Miratohen ndryshimet në Kodin Penal dhe ligji për mbrojtjen civile

Miratohen ndryshimet në Kodin Penal dhe ligji për mbrojtjen civile

Kuvendi ka miratuar me 96 vota pro ndryshimet në Kodin Penal. Ndërkaq 11 deputetë kanë votuar kundër dhe dy abstenuan për këto ndryshime.

Po kështu parlamenti ka miratuar me 90 vota pro dhe 8 kundër edhe projektligjin për Mbrojtjen Civile.

Në seancë janë miratuar edhe ndryshimet në ligjin për statusin e gjyqtarëve me 106 vota pro, 1 kundër. Koncesioni Orikum-Dukat është miratuar me 77 vota pro, ndërsa ai i rrugës Milot-Balldren me 79 vota.

Sa i përket ndryshimeve në Kodin Penal, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se parashikimet e deritanishme të kodit kanë rezultuar se nuk garantojnë sipas standardeve të vendeve të BE-së veprimet e dhunës.

Sipas Ballës, dispozitat përkatëse në Kodin Penal për dënimin e këtyre fenomeneve ose kanë mangësi, ose japin dënime të lehta ose nuk ekzistojnë.

“Parashikimet aktuale në Kodin Penal, rezulton se nuk garantojnë parandalimin për veprimet e dhunës. Dispozitat përkatëse në Kodin Penal për dënimin e këtyre fenomeneve ose kanë mangësi, ose japin dënime të lehta ose nuk ekzistojnë. Me qëllim dënimin e çdo veprimi dhune dhe parandalimin e dhunës në shoqëri, ne kemi propozuar ashpërsimi e dënimeve për veprat e dhunës ndaj policit, mjekut, sportistit, arbitrit, dhe trajnerit, funksionareve publike dhe të zgjedhurve, apo atyre që shërbejnë në shërbimin publik si dhe përfshirja e veprave të reja penale për adresimin e duhur të çështjeve të dhunës si akte që ngarkojnë me përgjegjësi penale.

Ndërsa sa i përket ligjit për Mbrojtjen Sociale, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka u shpreh se, përmes këtij projektligjit i jepet transformim qasjes ndaj fatkeqësive natyrore, planifikim afatgjatë dhe marrje e masave në kohë. Sipas saj, për herë të parë ngrihet Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.