AKTUALITET, 26 Maj 2021, 10:55

Minjtë pushtojnë rrugët e Australisë, shkatërrojnë të mbjellat

Australia është duke u përballur me një situatë të pazakontë sa i përket shtimit të beftë të numrit të minjve në vend.

Mijëra fermerëve u janë shkatërruar të mbjellat, ndërsa të tjerë refuzojnë të merren me bujqësi aktualisht deri në përfundimin e asaj që qeveria australiane e ka quajtur si “murtaja e minjve”.

Miliona minj kanë pushtuar zona të mëdha të vendit duke shkatërruar gjithçka që gjejnë para, ndërsa qytetarët ndjehen të frikësuar.

Autoritetet i tremben gjithashtu shpërndarjes së sëmundjeve nga minjtë e shumtë që gjenden në vend.

Ekspertët e lidhin këtë numër të pazakontë minjsh me reshjet e shumta të vitit të shkuar, të cilat sipas tyre ndikuan në shtimin e popullatës së minjve.

Autoritetet vlerësojnë se qeverisë tashmë do t’i duhet të luftojë dy vjet me minjtë për të rikthyer situatën në normalitet.