TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Nga Genc Pollo
Dikur nga vitet shtatëdh jetë thuhet se regjisori Minush Jero përdori një rrotë të stërmadhe traktori si truk për të gozhduar aty vëmendjen e censorëve të realizmit socialist, në mënyrë që ata të mos vërenin devijimet e pjesës teatrale nga dogma artistike e kohës. Në fund të ditës, Jero pranoi ta hiqte rrotën nga skena, pjesa teatrale nuk pësoi tjetër gërshërë dhe Jero, censorët e publiku i teatrit mbetën të kënaqur.
Nuk jam krejt i sigurt se krahasimi i rrotës së traktorit me Mini-Shengenin Ballkanik është i duhur e i përshtatshëm, por insistimi i z. Rama për të përdorur marrëveshjen e Shtëpisë së Bardhë KosovëSerbi për t’u vetëshpallur sërish edhe patriot, edhe vizionar, të kujton hilera e marifete që bëjnë njerëzit për të hequr sikletin.
Për sa i përket rolit të z. Rama në këto çështje, do të thosha se marrëveshja spikat me “elefantin që mungon” ose me copëtimin territorial të Kosovës, i cili vite më parë, fatkeqësisht, u mbështet nga aventurizmi i zonjës Federica Mogherini, asokohe përfaqësuese e lartë për politikën e jashtme dhe zv.presidente e Komisionit Europian, si dhe nga ideologjizmi i ambasadorit John Bolton, asokohe këshilltar për Sigurinë Kombëtare të Presidentit të SHBA-së. E për të mos ia lënë gjithmonë fajin në derë tjetrit apo të huajit, siç bëhet shpesh në viset tona, duhet të rithemi se ata nuk e shpikën vetë këtë propozim. Propozuesit ishin Presidenti i Serbisë, homologu i tij në Prishtinë, me mbështetjen e angazhimin superaktiv të Kryeministrit të Tiranës.
Kjo ide, e cila do të gjymtonte funksionimin e Kosovës si shtet e si ekonomi dhe që do të destabilizonte Ballkanin e më gjerë, fillimisht u bllokua në Europë nga liderë seriozë e të përgjegjshëm dhe me marrëveshjen e javës së shkuar mund të quhet e varrosur nga administrata Trump.
Përmendja e pavend e Mini-Shengenit nga Rama e të ngjashëm për të spostuar vëmendjen, por edhe debati legjitim për atë që u arrit apo edhe nuk u arrit në Uashington, nuk lipset të na fshijë nga kujtesa që një fatkeqësi nga dora e njeriut në postin e gabuar u evitua; përkundrazi, duhet të gjejmë se si të evitohet përsëritja në të ardhmen.
Për Mini-Shengenin në grahmat e fundit, nëse është akoma gjallë Kryeministri Hoti deklaroi pas nënshkrimit të marrëveshjes se ai e kishte pranuar përfshirjen e Kosovës në Mini-Shengen, pasi kjo iu kërkua nga ndërmjetësit amerikanë. Dhe krejt e arsyeshme që këta të fundit, mbasi i imponuan Presidentit serb të pranonte me shkrim reduktimin e vartesisë energjetike nga Rusia, refuzimin e teknologjisë kineze në rrjetet 5G e të tjera si këto, nuk mund t’i refuzonin një karamele pa kosto, madje edhe pa domethënie si Mini-Shengeni, një projekt personal i z. Vuçiç.
Por në vetvete Mini-Shengeni është pa domethënie, pasi katër liritë e BE-së në Ballkanin Perëndimor mund të realizohen plotësisht vetëm pas anëtarësimit në BE. Për realizimin gradual të tyre e nxitjen e tregut rajonal ekzistojnë mekanizma e institucione rajonale, ku shtetet e Ballkanit janë anëtare. Kështu p.sh., janë CEFTA me sekretariat në Bruksel e Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit me seli në Sarajevë, të cilat kanë përkrahjen e plotë të Bashkimit Europian e të Amerikës.
Ishin këto institucione që gjatë pandemisë, në koordinim me Komisionin Europian, arritën të realizojnë “korridoret e gjelbra” në Ballkan për të shpëtuar tregtinë rajonale nga asfiksia e kufijve të mbyllur. Për Mini-Shengenin nuk u kujtua kush.
Mini-Shengeni është një nismë, e cila sot e kësaj dite nuk ka një dokument themelues apo program të shkruar; është iniciuar nga shteti i vetëm në Ballkan që ka marrëveshje me bllokun tregtar e organizatën e sigurisë të udhëhequr nga Rusia dhe në rastin më pozitiv, i shërben vetëm egomanisë së udhëheqësit të ditës e partnerëve të tij rreth e rrotull.
Fakti që samiti i Mini-Shengenit, i njoftuar që do të mbahej në Beograd në janar, (dy muaj para shpalljes së pandemisë) u anulua e u la në heshtje, mund të jetë fare mirë një shenjë se edhe kjo nismë mund të jetë rrugës drejt Varrezës së Projekteve të Padobishme.