AKTUALITET, 15 Maj 2020, 14:55

Meta: S’duhet të lejojmë prishjen e trashëgimisë kulturore. Na mjaftojnë kujtimet e hidhura të kazmave të komunizmit në ‘67

“Nuk duhet lejuar të ndodhin më prishje të trashëgimisë historike e kulturore. Na mjaftojnë kujtimet e hidhura të kazmave të komunizmit të vitit 1967!”.

Ky ka qenë mesazhi i presidentit Ilir Meta sot nga Kavaja. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kreu i Shtetit, ndërsa ka nxjerrë disa foto nga Xhamia Kubelie, e ndërtuar në vitet 1700, theksoi se është një prej vlerave të trashëgimisë tonë historike e kulturore.

MESAZHI I METËS

Xhamia Kubelie në Kavajë e ndërtuar në vitet 1700 është një prej vlerave të trashëgimisë tonë historike e kulturore, që për fat të keq provoi kazmën e regjimit diktatorial në vitin e zi 1967, si shumë objekte të tjera kulti.

Fatmirësisht nga ajo masakër kanë shpëtuar disa kolona, dëshmi se si arroganca e një pushteti mund të sjellë dëme të pariparueshme në çdo kohë për trashëgiminë tonë kombëtare e kulturore.

Duhet të jemi të vëmendshëm dhe të ndërgjegjshëm për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe historike të vendit tonë, sepse çdo humbje është jo vetëm e parikuperueshme por edhe një cenim i identitetit tonë kombëtar, që nuk duhet lejuar të ndodhë më.

Na mjaftojnë kujtimet e hidhura të kazmave të komunizmit!