AKTUALITET, 10 Shtator 2019, 08:56

Meta nxjerr foton me Ramën dhe Ruçin: Cilësia është më e rëndësishme se sasia

Meta nxjerr foton me Ramën dhe Ruçin: Cilësia është


Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas takimit që bëri ditën e djeshme me kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi pasi dëshmoi në Komisionin Hetimor. Meta ka deklaruar se ishte kënaqësi që u rikthye në Kuvend dhe që shkëmbeu disa mendime edhe me Ruçin.

Ai ka deklaruar se kanë rënë dakord se dy grupet parlamentare më cilësore opozitare kanë qenë ai i PD në ’91-’92 dhe ai i PS në ’92-’96. Më tej presidenti shprehet se në demokraci cilësia është më e rëndësishme se sasia.

“Ishte kënaqësi dje të rikthehesha në Kuvend. Po kështu të shkëmbeja disa mendime dhe kujtime me Kryetarin e Kuvendit z.Gramoz Ruçi.

Së bashku ramë dakord se dy grupet parlamentare më cilësore opozitare kanë qenë ai i PD në ’91-’92 dhe ai i PS në ’92-’96. Kjo më përforcon bindjen se në demokraci, cilësia është më e rëndësishme se sasia, për të udhëhequr ndryshimin e një shoqërie, edhe kur “sasia” duket fuqiplotë”, shprehet Meta.

Presidenti Ilir Meta dha llogari dje për mbi dy orë në Komisionin Hetimor në Kryesinë e Kuvendit. Meta arsyetoi se i anuloi zgjedhjet pasi kishte informacione se Kuvendi do të digjej më 8 qershor.

Një arsye tjetër e tij ishte edhe se shqiptarët nuk kishin të drejtën e zgjedhjeve pasi kishte vetëm nga një kandidat në garë. Socialistët u panë të ç’tensionuar në bisedën e tyre me kreun e shtetit. Nuk munguan edhe falënderimet e njëpasnjëshme të Ulsi Manjës për presidentin.