AKTUALITET, 26 Korrik 2019, 15:57

Meta nderon ish-futbollistët e shquar me titullin “Mjeshtër i Madh”

Meta nderon ish-futbollistët e shquar me titullin “Mjeshtër i

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot gjatë një ceremonie solemne të zhvilluar në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” në Durrës ish-futbollistët e shquar durrsakë gjatë viteve 1970-80-të të “Lokomotivës”, “Dinamos” “Partizanit”, “Vllaznisë” dhe të Ekipit Kombëtar shqiptar, dy vëllezërit Shyqyri dhe Haxhi Ballgjini me Titullin “Mjeshtër i Madh”.

Presidenti Meta u dorëzoi dy vëllezërve Ballgjini titujt e lartë me motivacionin “Për kontributet e tyre të çmuara dhe rezultatet e arritura në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, duke shpalosur vlera të larta të sportististëve model e duke u shndërruar në shembuj frymëzimi për brezat e rinj”.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar të pranishmëve të shumtë, mes të cilëve familjarët dhe të afërmit e Shyqyri dhe Haxhi Ballgjinit, kolegët, trajnerët, personalitete të sportit dhe sportdashësit e shumtë durrsakë, Presidenti i Republikës theksoi se kjo ceremoni dekorimi është dyfish e veçantë, sepse sot vlerësojmë dy vëllezër kaq të shquar për sportin dhe kombin tonë.