AKTUALITET, 24 Shkurt 2020, 13:23

Meta mbërrin në SPAK, kallëzon penalisht ministren Etilda Gjonaj


Presidenti Ilir Meta shkoi në SPAK për të bërë kallëzim penal ndaj Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Meta shoqërohet në SPAK nga këshilltari Bahri Shqiri, këshilltari Juridik Bledar Dervishi dhe ai i medias Tedi Blushi.

Presidenti Ilir Meta e akuzon ministren Gjonaj se ka shkelur Kushtetutën me botimet në Fletoren Zyrtare të vendimit për emërimin e Arta Vorpsit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

“Mbrojta e Kushtetutë dhe integritetit të Gjykatës Kushtetuese është sot detyrë për çdo shqiptar patriot. Në radhë të parë është mision dhe detyrë e Presidentit të Republikës.

Nuk ka ngjarje më të rëndë se sa ky akt mafioz, ku në bazë të provave zyrtare, rezulton e përfshirë celula në krye të Ministrisë së Drejtësisë, që nëpërmjet shkeljeve dhe falsifikimeve ka tentuar një grusht shtetit duke tentuar haptazi dhe në mënyrë mafioze duke rrëmbyer një kompetencë që Kushtetuta ia jep Presidentit. Këto prova, këto fakte tronditëse, ishte e domosdoshme ti sillte vetë Presidenti i Republikës.

Padia penale për disa vepra është dorëzuar për tre titullarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë me në krye zonjën ministre.

Ne po disponojmë prova të tjera për të çuar deri në fund shpartallimin e grushtit të shtetit,”-tha Meta.