AKTUALITET, 24 Shkurt 2020, 13:13

Edi Rama shkrin së qeshuri pjesëmarrësit në samitin e BERZH në Londër (detaje)

Edi Rama shkrin së qeshuri pjesëmarrësit në samitin e BERZH

Kryeministri Edi Rama, po merr pjesë në Samitin e BERZH në Londër, për investimet e vitit 2020 në Ballkanin Perëndimor.

Në fjalën e tij, kryeministri është ndalur tek disa tema; tërmetin e 26 nëntorit, konferencën e donatorëve, Kroacinë dhe minishengenin. Rama foli edhe disa sekonda për investimet e ardhshme në Shqipëri, domethënë për arsyen përse ka vajtur në këtë samit.

Gjatë diskutimit të këtyre temave, Rama lëshoi disa batuta, që ishin shtyllat e fjalimit dhe që shkaktuan të qeshura të shumta në sallë.

Më poshtë TPZ.al po rendit batutat e kryeministrit në Londër, të cilat me gjasë do të mbahen mend më gjatë dhe më shumë se pjesa tjetër e fjalimit.

BATUTA 1 

Rama i'u drejtua kryeministrit të Kroacisë, të cilin e konsideroi si përkthyes të Ballkanit Perëndimor në Bruksel. Këtu, salla qeshi disi.

"I jemi mirënjohës Andreit, sepse Kroacia është agjenti ynë në Bruksel, është edhe përkthyesi i Brukselit në rajon. Natyrisht është më e lehtë të përkthesh Brukselin tek ne, se sa ne tek Brukseli, por është pjesë e punës tënde. "

BATUTA 2 

Rama foli për idenë e minishengenit dhe tha se ky projekt është quajtur gabimisht i tillë, sepse njerëzit në rajonin tonë nuk janë mini por janë të gjatë. Këtu pjesëmarrësit, qeshën pak më shumë dhe pak më gjatë, se me batutën e parë.

"Sigurisht ka probleme që mbeten për t'u zgjidhur, por ne po punojmë bashkë, duam të ndërtojmë të ardhmen bashkë, për fëmijët tanë, që të jetë ndryshe nga çfarë trashëguam nga luftrat dhe konfliktet. 

Kjo nuk ka të bëjë thjesht me paqen, por zhvillimin e ekonomisë për popujt tanë, prandaj besoj dhe duhet të mos bie dakord me Anën [kryeministren e Serbisë] dhe me personin që shpiku fjalën minishengen, nuk e di ku e ka gjetur këtë fjalë. Nuk është aspak mini, ne jemi mesatarisht nga më të gjatët në Evropë..."

BATUTA 3

Në fund të fjalimit, Rama u ndal edhe tek punët e brendshme administrative të BERZH, duke thënë se Olegu nuk duhet të ikë si President i ri i BERZH, se ndryshe Shqipëria do vendosë veton. Këtu salla shpërtheu fare në të qeshura, të cilat i tejkaluan të qeshurat e batutës së parë dhe të dytë.

"Ka vetëm një autostradë që duhet të ndërtojmë sëbashku, Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian. Për ta mbyllur, nëse doni që kjo të vazhdojë vitin tjetër, Olegu nuk duhet të ikë si Presidenti i ri i BERZH. Ne na është vënë veto shumë herë në Këshillin Evropian, në këtë rast ne mund të vëmë veton. Po prekët Olegun, harrojeni pjesëmarrjen e Shqipërisë. Jam i sigurt që Milo nuk do ta lejojë Dushkon të rikthehet..."

/TPZ.al/