SPORT, 21 Shkurt 2018, 08:55

Mesi thyen mallkimin përballë Çelsit, dhuron spektakël në Londër/ (VIDEO)

Çelsi dhe Barecelona janë ndarë sot në një barazim 1-1 në duelin e parë mes tyre në fazën me eliminim direkt në Ligën e Kampioneve. Një rezultat që u shkoi më shumë për shtat katalanasve, të cilët luajnë ndeshjen e kthimit në fushën e tyre dhe që kanë kështu një avantazh të vogël para asaj sfide.

Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll pa gola, ndonëse rastet nuk kanë munguar nga të dy skuadrat. Siç pritej, Barcelona dominoi mbajtjen e topit, por ishte Çelsi që krijoi rastet më të pastra dy herë në fundin e këtij fraksioni loje me anë të Uillian. Futbollisti ishte shumë i pafat, teksa pa në të dy rastet që topi të ndalej nga shtylla e portës së mbrojtur nga Ter Shtegen.

45 minutat e dyta të ndeshjes filluan me Barcelonën në sulm, duke u munduar të mbyllte anglezët në zonën e tyre. Por në momentin më të mirë të spanjollëve erdhi edhe goli i skuadrës vendase, që kaloi në avantazh me anë të Uillian. Braziliani lëshoi një gjuajtje spektakolare nga jashtë zonës që nuk i dha mundësi reagimi Ter Shtegen, për të ndezur entuziazmin në “Stamford Bridge”.

Çelsi dukej në kontroll të plotë të ndeshjes, por me gabimin e parë u ndëshkua nga Lionel Mesi. Një top i humbur nga Markos Alonso përfundoi te Iniesta dhe ai nuk e kishte të vështirë ta dërgonte te Mesi që theu mallkimin e tij ndaj Çelsit. Argjentinasi nuk kishte shënuar ansjëherë më parë përballë Çelsit, por ia doli mbanë në ndeshjen e 9 kundër kësaj skuadre, duke barazuar shifrat për t’i dhënë mundësinë Barcelonës të merrte një barazim 1-1, rezultat mëse i pranueshëm para sfidës së kthimit në “Kamp Nou”. /vipsport.al/

LIVE Çelsi-Barcelona 1-1

62′ Uillian / 75′ Mesi

Çelsi: Kurtua, Rudiger, Kristensen, Azpilikueta, Kante, Alonso, Fabregas, Moses, Pedro, Hazard, Uillian.

Barcelona: Ter Shtegen, Pike, Umtiti, Alba, S. Roberto, Buskets, Rakitiç, Paulinjo, Iniesta, Suarez, Mesi.