Mediat shqiptare deformojnë deklaratën e Trump për NATO-n, presidenti nuk e përmendi Shqipërinë
TPZ
Deklarata e presidentit amerikan Donald Trump, se Mali i Zi mund të nisë luftën e tretë botërore, ka shkaktuar reagime të shumta në shtypin ndërkombëtar por edhe në Shqipëri. Natyrisht reagimi i shtypit ndërkombëtar ka qenë lidhur me deklaratën në vetëvete, ndërsa mediat Shqiptare i kanë shtuar deklaratës së presidentit një tjetër komponent, duke pretenduar se Trump ka folur edhe për Shqipërinë.
Por çfarë tha realisht presidenti amerikan në intervistën për FoxNews?
Trump u pyet nga gazetari i Fox News se përse duhet të luftojnë amerikanët, në rast se sulmohet një vend si Mali i Zi, (duke qenë se aleanca e NATO-s dikton që kur një prej shteteve sulmohet, shtetet anëtare duhet t'i vijnë në ndihmë), Trump u përgjigj kështu:
"E kuptoj çfarë po thua. Unë kam bërë të njëjtën pyetje. Mali i Zi është një vend shumë i vogël me njerëz shumë të fortë..."Ndërhyn gazetari: "Nuk kam asgjë me Malin e Zi apo Shqipërinë"Presidenti vazhdon deklaratën: "...Pra, ata janë njerëz shumë të fortë, shumë agresivë, ata mund të bëhen shumë agresivë dhe urime, ja ku fillon lufta e tretë botërore!
Për çdo person që e ka parë videon origjinale pa përkthimin shqip të mbivendosur, e kupton mjaft qartë se presidenti ka nisur të flasë për Malin e Zi, është ndërprerë nga gazetari i cili ka përmendur Shqipërinë, por ka vijuar deklaratën e nisur për Malin e Zi.
Po ti hedhësh një sy pasqyrimit të lajmit nga mediat ndërkombëtare, është e qartë se deklarata ka qenë vetëm për Malin e Zi. The Guardian përshembull shkruan:
"Në një intervistë për Fox News, Trump vuri në pikëpyetje parimet themelore të NATO-s. Ai u pyet lidhur me Artikullin 5, klauzola e mbrojtjes së përbashkët,në të cilën thuhet se një sulm ndaj një prej anëtarëve, është një sulm ndaj të gjithëve. 'Përse duhet që djali im të shkojë në Mal të Zi për ta mbrojtur nga sulmet?', pyeti gazetari i Fox, Tucker Carlson. Trump u përgjigj se. "E kuptj se çfarë po thoni, edhe unë e kam bërë këtë pyetje. Mali i Zi është një vend i vogël me njerëz shumë të fortë...Ata janë shumë agresivë. Ata mund të vëhen agresivë dhe urime, këtu fillon lufta e tretë botërore", shtoi presidenti
Mbetet e paqartë nëse disa media shqiptare kanë bërë një lapsus duke e deformuar deklaratën, apo nëse pas këtij veprimi ka një axhendë për pasqyrimin e Shqipërisë si qendra e botës, siç ndodh shpesh. Versioni i dytë do të ishte qesharak, edhe për faktin se deklarata e Trump në vetëvete është në kuftijtë e ofendimit për popullin malazez. Megjithatë mund të ketë ndodhur që disa media të kenë përqfauar devizën e kryeministrit Rama, se publiciteti dhe të qenurit në qendër të vëmendjes janë pozitive, edhe kur vijnë prej komenteve negative...
/TPZ.AL/