AKTUALITET, 29 Qershor 2019, 09:36

Mbyllën shkollat, tre në pranga. Shpallet në kërkim nënkryetari i Bashkisë Mallakastër

Mbyllën shkollat, tre në pranga. Shpallet në kërkim


Tre persona, punonjës bashkie janë vënë në pranga në Mallakastër dhe është shpallur në kërkim nënkryetari i Bashkisë, pasi akuzohen për “Pengimi i subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese” e kryer në bashkëpunim.

Policia bën me dije se ata në bashkëpunim me njeri-tjetrin kane mbyllur dhe bllokuar dy shkolla në qytetin e Ballshit dhe 21 shkolla në fshatrat e Bashkisë, të cilat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë vendosur e miratuar si Qendra Votimi për zgjedhjet e Pushtetit Vendor të datës 30.06.2019.

Njoftimi i policisë:

Arrestohen në flagrancë 2 punonjës të Bashkisë Mallakastër dhe roja e një shkolle në qytetin e Ballshit, si edhe shpallet në kërkim nënkryetari i Bashkisë Mallakastër për veprën penale “Pengimi i subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese” e kryer në bashkëpunim.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër arrestuan në flagrancë 3 shtetas:

– D.D, 57 vjeç, banues në Ballsh (shofer i Bashkisë Mallakastër);

– E.I, 39 vjeç, banues në Ballsh (punonjës i Bashkisë Mallakastër);

– N.K, 58 vjeç, banues në Ballsh (roje shkolle);

Gjithashtu u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit H.S, 38 vjeç, banues në Ballsh, (Nënkryetar i Bashkisë Mallakastër).

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se këta shtetas janë autor të dyshuar të mbylljes dhe bllokimit 2 shkollave në qytetin e Ballshit dhe 21 shkollave në fshatrat e Bashkisë, të cilat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë vendosur e miratuar si Qendra Votimi për zgjedhjet e Pushtetit Vendor të datës 30.06.2019.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme hetimore.