AKTUALITET, 11 Nëntor 2020, 17:58

Mbretëria e Bashkuar, vendi i parë në Europë që shënon 50 mijë viktima nga Covid-19


Mbretëria e Bashkuar, është bërë vendi i parë në Europë, që tejkalon 50 mijë viktima nga Covid-19, që prej fillimit të pandemisë.

Ditën e sotme në MB, kanë humbur jetën 595 persona, duke e çuar numrin total të fataliteteve në 50,365. Gjithashtu janë infektuar edhe 22,950 qytetarë të tjerë, në 24 orët e fundit.

Aktualisht vendi gjendet në një izolim të dytë kombëtar, i cili nisi në 5 nëntor dhe do të përfundojë në 2 dhjetor, në përpjekje për të ulur numrin e infektimeve dhe për të evituar kolapsin e sistemit shëndetësor.

Gjatë periudhës së izolimit, janë mbyllur kafenetë, restorantet dhe sektori i shëbimeve, por vijojnë të qëndrojnë të hapura shkollat dhe universitetet. Qytetarët janë udhëzuar të punojnë nga shtëpia, në rastet kur një gjë e tillë është e mundur.

Pavarësisht lajmeve pozitive se një vaksinë e Pfizer dhe BioNTech ka treguar efektivitet deri në masën 90% ndaj koronavirusit, kryeministri Boris Johnson ka deklaruar se vendi ende nuk është në fund të tunelit.

Ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock, ka lajmëruar se sistemi Shëndetësor po bëhet gati, që të nisë shpërndarjen e vaksinës që prej fillimit të dhjetorit, kur ajo të jetë aprovuar. Fillimisht vaksina do të merret nga punonjësit e shërbimit shëndetësor dhe personat e moshuar. Mbretëria e Bashkuar ka porositur 40 milionë doza nga vaksina e Pfizer dhe BioNTech.

Që prej fillimit të pandemisë, sipas shifrave të qeverisë, në Mbretërinë e Bashkuar janë konfirmuar 1.2 milionë raste të infetuar me koronavirus.

/TPZ.al/

Grafik: Fatalitetet në Mbretërinë e Bashkuar si pasojë e Covid-19. Burimi: gov.uk.