SPORT, 24 Tetor 2020, 16:35

Manchester City ngec ndaj West Ham, nuk arrin t’i bëjë dy fitore rradhazi

Manchester City ngec ndaj West Ham, nuk arrin t’i bëjë dy fitore

Manchester City nuk po arrin dot t’i bëjë dy fitore radhazi në kampionat, pasi mesditën e sotme nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 në transfertën londineze ndaj West Ham.

Të besuarit e Pep Guardiolës u ndëshkuan që në minutën e 18’, kur sulmuesi 30-vjeçar anglez Michail Antonio shënoi një gol spektakolar me roveshiatë, pas një krosimi pa shumë pretendime në zonë.

Reagimi i “citizens” ishte mjaft i mirë dhe pas një shpërthimi të Joao Cancelos në krah, ishte Phil Foden që dërgoi topin në rrjetë duke rikthyer baraspeshën në minutën e 51-të, por më pas rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën finale.

Me këtë barazim të dy skuadrat mbeten në kuotën e 8 pikëve, pasi numërojnë nga dy fitore, dy barazime dhe një humbje në 5 ndeshjet e zhvilluara deri tani në kampionatin anglez.