AKTUALITET, 15 Dhjetor 2019, 19:52

Mançester Siti hedh pas krahëve zhgënjimin në derbi, zhyt edhe më thellë Arsenalin

Mançester Siti hedh pas krahëve zhgënjimin në derbi, zhyt

Mançester Siti ia ka dalë të fitojë pa probleme në transfertën e Londrës teksa përballë kishte Arsenalin. Ekipi i drejtuar nga Pep Guardiola triumfoi me rezultatin e pastër 0-3, falë edhe një Kevin De Brujn në superformë. Belgu ishte protagonisti kryesor i ndeshjes teksa realizoi dy gola dhe asistoi në tjetrin.

Takimi nisi me një gol të shpejtë dhe në minutën e dytë “Qytetarët” e panë veten në avantazh. Gabriel Zhezus lëvizi bukur në zonë ndërsa pasoi për mesfushorin, i cili në një pozicion të favorshëm nuk fali dhe dërgoi sferën në rrjetë. Ndërkohë, në minutën e 15 ishte radha e Sterling të vendoste emrin në listën e golashënuesve i asistuar nga De Brujn. Kur kishin mbetur edhe pesë minuta nga përfundimi i pjesës së parë, De Brujn konfirmoi mbrëmjen fantastike teksa realizoi një me një goditje kirurgjikale në hyrje të zonës.

Me dominimin e Sitit u mbyll pjesa e parë, ndërsa në të dytën të besuarit e trajnerit Pep Guardiola menaxhuan avantazhin, teksa Arsenali pavarësisht përpjekjeve nuk ia doli të shënonte të paktën golin e nderit. Pas kësaj humbje londinezët janë në vendin e nëntë me 22 pikë, ndërkohë nga ana tjetër, Mançester Siti mbetet forcë e tretë pas Liverpulit kryesues dhe Leisterit të vendit të dytë.