BOTA, 4 October 2026, 14:09

Lula kundër Bolsonaros, gara e ‘zjarrtë’ në Brazil hyn në orët vendimtare

Lula kundër Bolsonaros, gara e ‘zjarrtë’ në Brazil

Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva dhe rivali i tij, senatori i krahut të djathtë Flavio Bolsonaro, mbyllën të shtunën fushatën elektorale, një ditë përpara zgjedhjeve presidenciale në Brazil.

Lula, 80 vjeç, zhvilloi aktivitetin e fundit elektoral në Sao Paulo, ndërsa kërkon një mandat të katërt dhe të fundit në krye të vendit. Ai është përballë Flavio Bolsonaro, 45 vjeç, djalit të ish-presidentit Jair Bolsonaro dhe një prej figurave kryesore të së djathtës braziliane.

Sondazhet tregojnë se asnjë prej kandidatëve nuk pritet të sigurojë shumicën e nevojshme për të fituar që në raundin e parë. Për këtë arsye, Lula dhe Flavio Bolsonaro pritet të përballen sërish në një raund të dytë më 25 tetor.

Flavio Bolsonaro ka zhvilluar fushatë duke u fokusuar te siguria, masat për uljen e shpenzimeve publike dhe kostoja e lartë e jetesës. Ai e ka akuzuar Lulën për paaftësi dhe ka kërkuar ndryshime në drejtimin e vendit.

Nga ana tjetër, Lula është përpjekur ta paraqesë zgjedhjen si një përballje mes dy vizioneve të ndryshme për të ardhmen e Brazilit, duke theksuar edhe çështjen e sovranitetit të vendit në raport me presionet nga jashtë.

Fushata është shoqëruar gjithashtu me akuza, sulme personale dhe skandale.

Gjatë saj u bë e ditur se Flavio Bolsonaro ishte nën hetim për korrupsion lidhur me financimin e një filmi për babain e tij, Jair Bolsonaro. Projekti ishte financuar nga bankieri Daniel Vorcaro, i cili ndodhet në burg dhe është nën hetim në një prej skandaleve të mëdha financiare në Brazil.

Të dyja kampet kanë përdorur gjerësisht rrjetet sociale, ku janë shpërndarë video, akuza, thashetheme dhe materiale të krijuara me inteligjencë artificiale në përpjekje për të ndikuar te votuesit.

Zgjedhjet kanë një rëndësi të madhe për Brazilin, veçanërisht pas garës së ngushtë të vitit 2022, kur Lula mposhti Jair Bolsonaro me vetëm 1.8 pikë përqindje.

Përveç presidentit, rreth 160 milionë votues të regjistruar do të zgjedhin gjithashtu deputetë, guvernatorë dhe një pjesë të senatorëve.