TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Të paktën shtatë persona janë vrarë dhe 22 të tjerë janë plagosur pas një sulmi izraelit që goditi një ceremoni mortore në Rripin e Gazës, sipas të dhënave të publikuara nga një spital lokal.
Spitali Al-Awda në kampin e refugjatëve Nuseirat konfirmoi numrin e viktimave, duke bërë të ditur se sulmi kishte në shënjestër një funeral për një palestinez i cili ishte vrarë më herët gjatë së njëjtës ditë nga një tjetër sulm izraelit.
Deri tani, ushtria izraelite nuk ka dhënë një reagim të menjëhershëm lidhur me ngjarjen.
Izraeli dhe grupi militant Hamas arritën një marrëveshje armëpushimi në muajin tetor, me synimin për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare mes palëve.
Megjithëse përplasjet më të ashpra janë zvogëluar pas marrëveshjes, Ministria e Shëndetësisë në Gaza deklaron se të paktën 1,123 persona janë vrarë në territor që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit.
Izraeli ka deklaruar se operacionet e tij ushtarake janë përgjigje ndaj sulmeve nga militantët palestinezë dhe ndaj shkeljeve të armëpushimit. Sipas ushtrisë izraelite, pesë ushtarë izraelitë janë vrarë që prej nisjes së marrëveshjes së armëpushimit.
Lufta nisi më 7 tetor 2023, pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi ndaj jugut të Izraelit, ku u vranë rreth 1,200 persona dhe u morën peng 251 të tjerë.
Që nga fillimi i ofensivës izraelite në Gaza, Ministria e Shëndetësisë në Gaza thotë se më shumë se 73 mijë palestinezë janë vrarë, përfshirë edhe viktimat e regjistruara pas armëpushimit.