BOTA, 17 July 2026, 21:15

Tymi i zjarreve në Kanada mbulon SHBA-në, alarm për cilësinë e ajrit para finales së Kupës së Botës

9.jpg

Re të dendura tymi nga zjarret masive pyjore në Kanada kanë përfshirë sërish pjesë të mëdha të Shteteve të Bashkuara, të Amerikës, duke shkaktuar alarm për cilësinë e ajrit vetëm dy ditë para finales së Kupës së Botës, që do të zhvillohet të dielë në Nju Xhersi.

Qytetet Detroit dhe Çikago regjistruan nivele të cilësisë së ajrit në kategorinë “të rrezikshme”, ndërsa Uashingtoni u rendit në nivelin “shumë të pashëndetshëm”.

Në zonën metropolitane të Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, ku do të luhet finalja në një stadium të hapur, cilësia e ajrit u klasifikua si “e pashëndetshme”, me smogun që kufizoi ndjeshëm dukshmërinë.

Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi se mund të shtohet dendësia e tymit sërish gjatë natës dhe në mëngjesin e së shtunës, megjithëse meteorologët presin që kushtet të përmirësohen deri të dielën.

Sipas tyre, pritet të ketë mjegull tymi në atmosferë, por jo në të njëjtin nivel si gjatë ditëve të fundit.

Në shumë qytete të Miduest-it dhe verilindjes së SHBA-së, banorët u panë me maska mbrojtëse në ambiente të hapura, ndërsa biblioteka dhe stacione trenash në Nju Jork shpërndanë maska falas.

Paralajmërimet për cilësinë e ajrit mbetën në fuqi edhe për Çikagon, ku autoritetet thanë se tymi mund të rikthehet gjatë fundjavës.

Shkencëtarët theksojnë se episodet e përsëritura të tymit lidhen me ndryshimet klimatike, të cilat po zgjasin sezonin e zjarreve dhe po krijojnë kushte më të favorshme për përhapjen e tyre.

Temperaturat më të larta dhe thatësira bëjnë që zjarret të digjen për javë të tëra.

Ndërkohë, në Kanada vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit mbi 200 zjarre pyjore, kryesisht në provincën e Ontarios.

Që nga fillimi i vitit janë djegur rreth 2,8 milionë hektarë, pothuajse dyfish më shumë se një javë më parë.

Deri tani nuk janë raportuar viktima në Ontario, por disa komunitete të largëta janë evakuar.