BOTA, 18 September 2026, 22:07

Lufta me Iranin/ Mbi 20 ushtarë amerikanë të vrarë, Pentagoni raporton më pak viktima

Screenshot 2026-09-18 220657.png

Më shumë ushtarakë amerikanë mund të kenë humbur jetën gjatë luftës me Iranin sesa shifra e bërë publike nga Pentagoni. Sipas gjashtë zyrtarëve amerikanë të njohur me të dhënat e brendshme të Departamentit të Mbrojtjes, të paktën 22 pjesëtarë të ushtrisë amerikane kanë vdekur që nga nisja e konfliktit, ndërsa databaza publike e Pentagonit liston 18 viktima.

Pesë prej zyrtarëve thanë për The Washington Post se numri i viktimave është të paktën 22, pra katër më shumë se shifra e pasqyruar në sistemin publik të Pentagonit, Defense Casualty Analysis System (DCAS). Një zyrtar i gjashtë tha se numri mund të jetë 23, duke sqaruar se jo të gjitha këto vdekje lidhen drejtpërdrejt me luftimet, por kanë ndodhur mes personelit amerikan të vendosur në Lindjen e Mesme gjatë periudhës së armiqësive.

I njëjti zyrtar bëri të ditur se që nga nisja e operacioneve luftarake kanë humbur jetën edhe tre kontraktorë amerikanë të vendosur në rajon.

Ndërkohë, deri të premten, databaza publike e Pentagonit regjistronte 18 viktima ushtarake amerikane, duke përfshirë vdekje të shkaktuara si nga veprimet armiqësore, ashtu edhe nga incidente joarmiqësore. Detajet për viktimat që nuk figurojnë në sistemin publik, përfshirë identitetet, vendin, kohën dhe rrethanat e vdekjes, mbeten të paqarta. Pentagoni ka refuzuar të komentojë mospërputhjen e raportuar.

Sipas të dhënave publike, 14 viktima janë regjistruar nën operacionin “Epic Fury”, emri i përdorur nga administrata Trump për luftën me Iranin. Katër të tjera janë përfshirë në kategorinë “Overseas Operations”, pas një armëpushimi të përkohshëm mes Uashingtonit dhe Teheranit, i cili më pas u ndërpre dhe u pasua nga rifillimi i sulmeve.

Ndërkohë, dy ushtarakë të tjerë amerikanë që humbën jetën në Lindjen e Mesme që nga shkurti, gjatë misioneve që Pentagoni i ka cilësuar si të palidhura me luftën me Iranin, nuk figurojnë me emër në databazën publike.

Rreshteri Devin Seibel humbi jetën më 31 maj në Erbil të Irakut në një aksident gjatë një trajnimi. Departamenti i Mbrojtjes tha se ai ishte pjesë e operacionit “Inherent Resolve”, ndërsa emri i tij nuk figuron në listën përkatëse të DCAS. Ndërsa majori Sorffly Davius vdiq më 6 mars në Kuvajt pas një urgjence mjekësore. Nuk është bërë e qartë nëse vdekja e tij kishte lidhje me ndonjë sulm iranian.

Që nga nisja e konfliktit, më shumë se 820 pjesëtarë të ushtrisë amerikane janë raportuar të plagosur në luftime, sipas databazës publike. Një pjesë e tyre kanë pësuar dëmtime traumatike të trurit si pasojë e sulmeve iraniane ndaj bazave amerikane në Lindjen e Mesme.

Konflikti ka shkaktuar gjithashtu dëme në bazat amerikane dhe ka rënduar rezervat e armëve të precizionit. Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Teherani ka ndikuar edhe në tregjet globale të energjisë, duke qenë se kjo rrugë detare është një arterie kryesore për transportin e naftës dhe plehrave kimike.

Sipas një dokumenti të parë nga The Washington Post, Komanda Qendrore e SHBA-së, e cila mbikëqyr operacionet amerikane në Lindjen e Mesme, ka vlerësuar se kostoja e luftës me Iranin ka arritur rreth 43.6 miliardë dollarë deri në fillim të shtatorit. Vetëm municionet e përdorura gjatë konfliktit llogariten në rreth 28 miliardë dollarë, ndërsa shifra nuk përfshin dëmet e shkaktuara në bazat amerikane.

Ndërkohë, disa zyrtarë të lartë ushtarakë amerikanë i kanë paralajmëruar sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth se vazhdimi i operacioneve në shkallë të gjerë kundër Iranit paraqet kosto të konsiderueshme dhe mund të kufizojë aftësinë e SHBA-së për t'u përballur me kërcënime të tjera.

Raportimet për numrin e viktimave kanë hapur gjithashtu debat në Kongres. Në korrik, katër viktima të luftës ishin përkohësisht të përjashtuara nga databaza e Pentagonit, ndërsa administrata Trump i kishte riklasifikuar disa prej humbjeve të reja si “Overseas Operations”, në vend që t'i lidhte me operacionin “Epic Fury”. The Washington Post ka raportuar se kjo ndryshoi mënyrën se si viktimat pasqyroheshin në të dhënat publike.

Demokratët në Senat kanë deklaruar se synojnë të hetojnë mënyrën se si Pentagoni ka trajtuar njoftimet dhe regjistrimin e viktimave ushtarake, ndërsa disa ligjvënës kanë propozuar ndryshime ligjore për të parandaluar ndryshimin e mënyrës së raportimit të të dhënave për humbjet e trupave amerikane.

Mospërputhja mes të dhënave të brendshme dhe atyre të publikuara nga Pentagoni ka rëndësi jo vetëm për transparencën publike, por edhe për familjet e ushtarakëve të vrarë. Për çdo vdekje të një pjesëtari të ushtrisë zhvillohet një hetim për të përcaktuar nëse ajo ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, një përcaktim që mund të ndikojë në përfitimet që u takojnë familjarëve.