BOTA, 18 September 2026, 21:39

Ndërhyrja e jashtëzakonshme/ Pas 24 orëve operacion ndahen me sukses binjaket e bashkuara në kokë (Foto)

Screenshot 2026-09-18 213824.png

Një ndërhyrje jashtëzakonisht komplekse kirurgjikale është realizuar me sukses në një spital pediatrik në St. Louis, SHBA, ku mjekët ndanë dy binjake dyvjeçare të bashkuara në kokë.

Vajzat, Hiyab dhe Wuhbto, kishin lindur në Etiopi dhe ishin të bashkuara në pjesën e kafkës.

Operacioni zgjati më shumë se 24 orë. Në të morën pjesë mbi 60 profesionistë të fushave të ndryshme, përfshirë neurokirurgë pediatrikë, kirurgë plastikë dhe specialistë të kujdesit intensiv. Procedura konsiderohet një nga ndërhyrjet më të rralla dhe më të ndërlikuara në kirurgjinë pediatrike.

Screenshot 2026-09-18 213752.png

Pas ndarjes, dy vajzat kanë vijuar trajtimin dhe rehabilitimin intensiv. Njëra prej tyre, Wuhbto, ka kryer tashmë me sukses një tjetër ndërhyrje për rindërtimin e kafkës, ndërsa Hiyab pritet t’i nënshtrohet të njëjtës procedurë më vonë gjatë vjeshtës.

Binjaket kishin mbërritur në Shtetet e Bashkuara nga Etiopia në vitin 2025, pak para se të mbushnin një vjeç. Sipas spitalit, binjakët e bashkuar në kokë janë një fenomen jashtëzakonisht i rrallë, që ndodh afërsisht një herë në 2.5 milionë lindje.

Screenshot 2026-09-18 213813.png