TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pas momenteve të panikut që shoqëruan ndeshjen Besëlidhja-Korabi, kur Lorenc Trashi ra pa ndjenja në fushë në minutën e 44-t, vjen një tjetër reagim qetësues nga vetë futbollisti.
Në një komunikim për Top Channel, ish-lojtari i kombëtares ka shuar përfundimisht frikën për ndonjë problem kardiak, një makth i njohur në botën e futbollit në raste të tilla.
Trashi ka sqaruar se shkaku i vetëm i kolapsit ishte gjendja e rënduar trupore dhe sforcimi fizik i pamenaxhueshëm. “Thjesht më ra një gjendje si të fikët, isha i pafuqishëm, me temperaturë dhe s’po ndihesha mirë. Kam qenë me temperaturë para ndeshjes dhe nuk bëra kontroll. Në fushë isha me 39.5,” – thekson ai, duke zbuluar prapaskenën e rrëzimit pa asnjë kontakt me kundërshtarët.
Për të hequr çdo dyshim mbi gjendjen e tij të përgjithshme shëndetësore, lojtari ka theksuar se zemra e tij funksionon në mënyrë perfekte. “Të hënën kam lënë të bëj disa vizita të specializuara, por nga zemra nuk kam gjë. Madje, kontrollet e përgjithshme mjekësore i bëmë para dy javësh me ekipin dhe çdo gjë ishte shumë mirë,” – shton Trashi.
Ndërhyrja e shpejtë e stafeve mjekësore dhe transportimi me autoambulancë drejt spitalit të Lezhës bënë të mundur stabilizimin e tij të menjëhershëm, duke e lënë këtë ngjarje thjesht si një episod të frikshëm të shkaktuar nga neglizhimi i një temperature të lartë.