TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Sporti shqiptar është përfshirë nga zia pas ndarjes nga jeta të Albert Karriqit, një prej figurave të njohura të jetës sportive dhe akademike në vend. Karriqi ndërroi jetë këtë të premte në moshën 75-vjeçare.
Lajmi është konfirmuar nga familjarë dhe miq të tij. Sipas informacioneve të bëra publike, Karriqi ka humbur jetën pas një arresti kardiak.
Ai ishte profesor në Institutin e Kërkimit Shkencor të Sportit dhe gjatë karrierës së tij u dallua edhe si atlet kampion i klubit Tirana. Në fushën akademike, ai ishte i specializuar në Teorinë dhe Metodologjinë e Stërvitjes Sportive, si dhe në Filozofinë e Sportit.
Përtej angazhimit në sport dhe akademi, Albert Karriqi ishte një zë i njohur edhe në media. Ai ishte i pranishëm si analist dhe komentator në emisione e panele televizive sportive, veçanërisht gjatë aktiviteteve të mëdha ndërkombëtare.
Karriqi ka pasur gjithashtu një angazhim në jetën politike të vendit, duke shërbyer si deputet i Kuvendit Popullor gjatë legjislaturës së vitit 1991.
Për kontributin e tij në zhvillimin e Lëvizjes Olimpike dhe Sportive shqiptare, ai ishte vlerësuar me “Urdhrin Olimpik” nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar.
Ndarja e tij nga jeta lë pas një boshllëk në komunitetin sportiv shqiptar, ku ai kontribuoi për dekada si sportist, pedagog, studiues dhe komentator.