AKTUALITET, 23 Gusht 2018, 19:23

Lirimi i Nezar Seitajt, reagon ish-deputeti: Ramës po i rrëshqet toka nën këmbë

Lirimi i Nezar Seitajt, reagon ish-deputeti: Ramës po i rrëshqet toka

Ditën e sotme u la i lirë vetëm në ‘arrest shtëpie’ Nezar Seitaj, i njohur ndryshe edhe si ‘financieri’ i grupit kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës, Habilajt.

Reagimi i parë në radhët e politikës vjen nga ish-ministri i Jashtëm dhe ish-deputeti i PD, Kastriot Islami.

Në një intervistë për ‘Faxnews’, Islami tha se rasti i Seitajt tregon se Rama është lidhur ngushtë me njerëz me rekorde kriminale.

“Rasti i Seitaj nuk duhet të jetë i shkëputur nga rastet e tjera që është arrest shtëpie apo arrest me burg. Thelbi i gjithë kësaj është që qeveria e Ramës është lidhur ngushtë me njerëz me rekorde kriminale. Kjo qeveri mbështetet në një shtyllë dhe ajo është shtylla e oligarkëve, trafikantëve. Rama po e shikon se po i rrëshqet toka dhe mundohet ti mbajë sa më afër oligarkët duke bashkëpunuar dhe mbrojtur ata në çdo situatë. Ose siç është rasti i Ballës i cili dy ditë më parë pranoi lidhjet familjare me Begon. Ai doli hapur pa iu dridhur qerpiku dhe tha: “Po kam lidhje familjare me Edmond Begon”, pra kësaj qeverie nuk i bëhet më vonë se çfarë mendon populli apo si shikohet në sytë e tyre. Një gjë është e sigurtë, lidhjet e Ramës me kriminelët janë bërë pjesë e imazhit të kësaj qeverie”, u shpreh Islami.

Sipas ish-deputetit, e vetmja gjë që e tremb tani Ramën  janë vendet e Bashkimit Europian, si Merkeli e cila i dha një ‘shuplakë’, Franca e cila ishte skeptike në hapjen e negociatave.