LIFESTYLE, 21 Shtator 2024, 19:43

“Më është ftohur trupi dhe jam ngrirë”, Julia Iliriani kujton momentin kur mësoi për sëmundjen e rëndë

“Më është ftohur trupi dhe jam ngrirë”, Julia

Ndonëse jo nga fillimi deri në fund, rrugëtimi në "Big Brother" mjaftoi që aktorja Julia Iliriani t’i kujtohej publikut të saj të vjetër dhe të njihej me publikun e ri, i cili, jo i vogël në numër, e simpatizoi për natyrën e saj të drejtpërdrejtë – si vajzën çapkëne të viteve ’90, që me kohën, me vitet, vetëm i ka forcuar parimet e veta në jetë dhe ka fituar më shumë vetëbesim.

Por jeta nuk është treguar gjithmonë bujare. Edhe pse vetë Julia është falënderuese për gjithçka ka jetuar, për gjithçka ka pasur dhuratë, e mirë apo e keqe, e di që vetë jeta është një dhuratë e madhe. Dhe këtë, për fat të keq, por edhe të mirë, e kuptoi atëherë kur mësoi se jeta për të mund të ishte shumë më e shkurtër nga sa ajo kishte menduar...

E ftuar pasditen e sotme në “S’e luan Topi”, Julia Iliriani u ndal edhe një herë në rrugëtimin e saj profesional dhe personal, karrierën si aktore, por edhe vendimin për t’u larguar përgjithmonë nga Shqipëria. Nga koha në Amerikë, ajo kujton edhe momentin më të vështirë të jetës – kur mësoi se ishte prekur nga një melanomë e avancuar.

“Më është ftohur trupi dhe jam ngrirë kur më marrin në telefon nga Universiteti Spitalor në New York. Ka qenë një melanomë shumë e avancuar dhe e egër. Në atë moment më ka ngrirë trupi dhe nuk arrija dot më të kuptoja as ku isha, as çfarë po ndodhte. Nuk ishte frika ndaj vetes, ishte frika për vajzën, çfarë do ndodhë, ku do ta lë, si do ta lë, është vetëm, nuk është gati. Mendimi i dytë ishte për prindërit. Nuk është shumë normale që të ikë fëmija para prindërit. Nuk dija ta menaxhoja, nuk doja të bija në dëshpërim, doja të isha luftarake, por Zoti i ka bërë planet për ty. Kur mjeku më thotë që do futesh me urgjencë në sallën e operacionit, unë nuk pranova. I thashë 'do shkoj të takoj prindërit dhe pastaj do bëj operacionin'. Ndieja një detyrim që duhet t’i takoja. I kam thënë vetëm motrës, do iki dhe do lë orar pas pushimeve. Erdha këtu, nuk u tregova gjë prindërve, nuk fola për këtë gjë. Edhe motrës i thashë mos fol, por ajo foli dhe unë pastaj ua tregova prindërve si një gjë normale”.
Sot, 5 vjet më pas, Julia shpreson që ta ketë kaluar rrezikun më të madh, por do vazhdojë të jetë gjatë gjithë kohës në monitorim. “Jam gjithë jetën në monitorim, kam 5 vjet nga operacioni, në shtator e kam bërë. Shpresoj shumë që të bëj 10 vjet, sepse këto janë vitet më të vështira, po shpresoj që të mos kem probleme. S’e di...”

Ama, asgjë nuk do të ndryshonte nga jeta e saj. Për asgjë nuk është penduar dhe për asgjë nuk ka peng: “Pranoj çdo gjë që Zoti ka planifikuar për mua”, – thotë ajo me qetësi dhe me buzëqeshje. Ndoshta, sepse e di që Zoti, edhe për sfidat e egra zgjedh më të fortët...