LIFESTYLE, 2 Korrik 2022, 18:54

Gabimet që nuk duhet ti bëni kur aplikoni kremin mbrojtës në plazh

Gabimet që nuk duhet ti bëni kur aplikoni kremin mbrojtës në
Foto ilustrim/ Pixabay

Kremi për mbrojtjen nga dielli është shumë i domosdoshëm, por shpesh në aplikimin e tij bëhen gabime që e ulin efektivitetin. 

Gabimi më i zakonshëm është frekuenca dhe mënyra e aplikimit të kremit, e cila nëse nuk bëhet në mënyrë të saktë, nuk mbron nga rrezet e rrezikshme UV.

Aplikoni kremin përpara se të dilni në plazh apo në diell: Aplikojeni kremin që në shtëpi, të paktën gjysmë ore para ekspozimit në diell, në mënyrë që lëkura ta thithë atë dhe t’ju mbrojë sa më shumë. 

Mos përdorni vetëm një krem për të gjithë pjesët e trupit: Gabimi më i zakonshëm është përdorimi i një kremi të vetëm për trupin dhe fytyrën. Lloji i lëkurës ndryshon në zona të ndryshme të trupit. Nëse keni përdorur një krem me SPF mbrojtës 30+ në trup, në fytyrë duhet të përdorni një tjetër me faktor më të lartë. 

Mos e përhapni kremin kur trupi është i lagur: Kremi mbrojtës duhet të aplikohet në lëkurë të thatë, në mënyrë që të sigurojë një efektivitet më të madh.

Mos e aplikoni kremin vetëm një herë në ditë: Për ta mbrojtur lëkurën nga rrezet e diellit, këshillohet ta aplikoni kremin disa herë në ditë. Uji, rëra dhe djersa e ulin ndjeshëm mbrojtjen. Pasi keni qëndruar për një kohë të gjatë, ose pasi jeni larë, këshillohet që ta aplikoni përsëri kremin. Mesatarisht duhet të aplikohet çdo 2 orë, në mënyrë që të arrini mbrojtje më të lartë.

Kremi ka afat skadence!: Nëse qëndrojnë shumë, kremrat mbrojtës e humbasin efektivitetin e tyre, duke rritur rrezikun e djegies nga dielli. Gjithmonë lexoni etiketën për përdorimin, por më e këshillueshme është të blini një krem dielli të ri, nëse kalojnë muaj nga hapja e tij.