AKTUALITET, 10 Nëntor 2020, 11:28

Lëvizja Vetëvendosje: Këta janë politikanët shqiptarë që votuan pro raportit të Dick Martyt

Lëvizja Vetëvendosje: Këta janë politikanët


Lëvizja Vetëvendosje në Tiranë hedh dritë mbi votimin e raportit të Dick Martyt në Këshillin e Europës, që po përndjek liderët e UÇK-së deri sot, kur janë arrestuar e po gjykohen në Hagë për krime lufte.

Palët në politikën shqiptare kanë filluar me akuza të ndërsjellta për këtë raport, ku PS akuzon PD se ka legjitimuar raportin për UÇK-në.

Abazi tregon se në KE ka qenë vetëm Ilir Rusmajli i PD që ka votuar pro raportit, ndërsa Damian Gjiknuri i PS dhe Shpëtim Idrizi votuan kundër. Por, në fjalët e vetë Boiken Abazit, “historia nuk mbaron me kaq”.

POSTIMI:

Pas zgjedhjeve të vitit 2013, Rusmali fillon të largohet nga PD, dhe më vonë propozohet nga PS si ekspert i jashtëm në komisionin për reformën zgjedhore – ku personin më të afërt ka Gjiknurin.

Rusmali kthehet në ekspertin kryesor të shumicës aktuale (PS) në Kuvend për ndryshimet e dëmshme të Kodit Zgjedhor që po konsolidojnë në Shqipëri autoritarizmin elektoral.

Pas miratimit të ndryshimeve të njëanshme kushtetuese dhe të Kodit Zgjedhor, PS e voton tani Rusmalin, përmes Kuvendit, si pjesë të Komisionit për Ankesa dhe Sanksione (KAS) që do të menaxhojë zgjedhjet më 25 prill 2021.

Në gjithë këtë kohë që ka punuar për llogari të PS, Rusmali nuk ka bërë asnjë apologji për votën e tij në favor të raportit antikombëtar të Dick Marty.” shkruan Abazi në Facebook. Kreu i LVV-së në Tiranë vazhdon duke theksuar që as PS e as PD nuk e kanë mbrojtjr si duhet UÇK-në. Ai ngre dy pyetje thumbuese për politikën shqiptare në raport me luftën e Kosovës.

“Duhet thënë që as PS e as PD nuk e kanë mbrojtur si duhet UÇK-në, dhe e kanë mbështetur votimin për Gjykatën Speciale në vitin 2015, kur LVV, AAK dhe NISMA votuan kundër në Kuvendin e Kosovës.

Dy pyetje:

1. Përse Kuvendi i Shqipërisë nuk ka miratuar kurrë një rezolutë, siç ka bërë Kuvendi i Kosovës, për të njohur gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë?

2. Përse deputetët shqiptarë nuk janë përfshirë kurrë në përgatitjen e një dosjeje që dorëzohet në Këshillin e Evropës për të njohur e gjykuar gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve?

Kosova nuk e realizon dot këtë gjë, pasi ka vetëm statusin e observuesit në Këshillin e Evropës.”