AKTUALITET, 8 Mars 2019, 18:59

Lëshohen ditën e sotme në Tiranë dhjetë urdhra-mbrojtje për gra të dhunuara

Lëshohen ditën e sotme në Tiranë dhjetë urdhra-mbrojtje

Sot, më 8 Mars, policia ka lëshuar dhjetë urdhra-mbrojtje për gratë që dhunohen nga burrat.

Në një rast, e dhunuara është një grua e cila kishte urdhër-mbrojtje më parë. Ajo sot do të dilte të festonte me shoqet e saj 8 Marsin, por bashkëshorti theu urdhrin që e ndalonte t’i afrohej gruas së tij dhe shkoi që ta rrihte.

Nga 3 janari, në Shqipëri kanë marrë urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje 428 gra. Sipas një studimi ndërkombëtar, e gjithë shoqëria shqiptare, edhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, është e dhunshme.

8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas përkujton lëvizjet gati njëshekullore për të drejtat e grave dhe përpjekjet e tyre për barazi dhe zhvillim.

Të vetëdijshëm që kjo është një ditë proteste, gratë shprehen se lufta për barazi vazhdon edhe sot të jetë e fortë: “Gratë kanë arritur të drejta, por ende ka për t’u bërë. Jemi ende në përpjekje për barazi. Zëri i gruas sot nuk dëgjohet, ka dhunë duke filluar që nga familja”, u shpreh një prej tyre.