SPORT, 1 Gusht 2021, 20:53

Bajerni ëndërron për futbollistin e Interit, problem mbetet… çmimi


Nikolo Barela është shfaqur sërish në radarët e Bajernit të Mynihut. Mesfushori i Interit i cili në sezonin e kaluar fitoi kampionatin me zikaltrit dhe Europianin me Italinë shihet si lojtari ideal për sistemin e lojës së Nagelsmanit.

Në fakt, Barela mund të konsiderohet si një mesfushor multifunksional, që mund të luajë si shkatërrues para mbrojtjes, mesfushor klasik në qendër dhe prapa dy sulmuesve. Ai është i saktë para porte dhe shërben për skuadrën. Shpirti luftarak dhe zgjuarsia taktike janë dy tipare të tjera të italianit. Me Kimishin, Goreckën dhe Barelën, Bajerni do të formonte një nga mesfushat më të mira në Europë.

PROBLEMI “INTER” Por, për të shkuar te Barela, Bajerni duhet të bindë më parë skuadrën e Interit, e cila e konsideron të pashitshëm diamantin e tij. Vlera e Italianit në “Transfermarkt” është 65 milionë euro. Edhe pse, nëse Interi do të mendonte për një shitje të lojtarit, nuk do të pranonte një ofertë poshtë 100 milionë eurove. Nikolo hyn së bashku me Bastonin, Lukakun dhe Lautaro Martinezin te lojtarët që nuk duhet të preken nga asnjë skuadër. Ky është edhe urdhri që klubi zikaltër i ka dhënë të deleguarit sportiv, Bepe Marota, që deri tani ka refuzuar çdo ofertë që ka ardhur në drejtim të këtyre lojtarëve.

Gjithsesi, Bajerni do të shpresojë deri në fund për italianin me Salihamixhiçin që po studion me detaje tregun, që ndryshe nga vitet e tjera, është shumë i vakët për shkak të krizës ekonomike që po kalojnë klubet në Europë. Barela, dhe pse për momentin mbetet një mollë e ndaluar për bavarezët, mund të bëhet realitet në të ardhmen. Marrëdhënia e mirë mes dy klubeve ka bërë që ndëvite lojtarë të ndryshëm të veshin e fanellat e njëra-tjetrës. Nëse do të ndodhë kështu edhe me Barelën, kjo mbetet për t’u parë në javët në vazhdim. Mesfushori pritet t’i bashkohet Interit ditën e hënë, pasi ndodhet ende me pushime për shkak se i shkoi deri në fund Europianit i cili përfundoi me 11 korrik.