TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar 26 nëntorin e një viti më parë në Shqipëri.
“E kujtojmë sot tërmetin e 26 nëntorit 2019, që preku qindra mijëra njerëz në Shqipëri. Tronditjen e tokës e ndjemë në gjithë qytetet e Kosovës. Por më e fortë ishte tronditja prej dhimbjes së familjeve që humbën më të dashurit e tyre, me të cilët ndau pikëllimin e gjithë Kosova dhe kombi shqiptar” – shkruan ai në rrjetet sociale. Më pas kujton se si Prishtina iu gjet pranë Tiranës në ato momente.
“Dhimbja na bëri bashkë. Qytetarët e Kosovës, ashtu si gjithë shqiptarët kudo që janë, u erdhën në ndihmë motrave e vëllezërve të dëmtuar nga tërmeti,me gjithë çka patën mundësi. Ushtria e Kosovës u nis menjëherë në mbështetje të operacioneve të kërkim shpëtimit.
Edhe deputeti ynë, Liburn Aliu, i cili ka përvojë në misione të tilla, u gjend në Thumanë, duke ndihmuar edhe personalisht për nxjerrjen e njerëzve nga rrënojat, e historia që më ka treguar ka lënë mbresa të pashlyeshme.
Aktivistët e Lëvizjes me ndihmën e shumë qytetarëve mblodhën mbi 300 ton ndihma, që i dorëzuan në Rezervat e Shtetit, në Shqipëri. U hapën shtëpitë në Kosovë e u ngritën kampe që prisnin të pastrehët, për ta lehtësuar sado pak dhimbjen e vuajtjen. Edhe sot e kësaj dite në Kosovë ka ende familje nga Shqipëria, mbetur pa strehë atje e të strehuara këtu” – shkruan kreu i Vetëvendsoje që në fund shtrin sërish dorën e bashkëpunimit për të kaluar këtë situatë.
“Sot jemi sërish bashkë në përkujtimin e viktimave dhe gjithë pasojave të tërmetit. E dimë që ende mijëra njerëz vazhdojnë të jetojnë në çadra, ashtu siç e dimë se Shqipërisë nuk i kanë ardhur fondet e premtuara nga ndërkombëtarët në konferencën e donatorëve për rindërtimin.
Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje dëshiroj t’i shpreh institucioneve në Republikën e Shqipërisë gatishmërinë tonë maksimale për të ndihmuar në këtë kohë kaq të vështirë. Sfidat i përballojmë më mirë, vështirësitë i kalojmë më lehtë kur jemi të bashkuar” – e mbyll Kurti.