AKTUALITET, 26 Nëntor 2020, 21:59

Der Standard: Bechetti kërkon konfiskimin e aseteve të Shqipërisë në Austri, sepse qeveria nuk i paguan paratë

Der Standard: Bechetti kërkon konfiskimin e aseteve të


Në një artikull të gazetarit Eric Frey në Der Standard, bëhet e ditur se Bechetti dhe të tjerët, kanë nisur të kërkojnë konfiskimin e aseteve të Shqipërisë në Austri, për shkak se qeveria shqiptare refuzon të paguajë paratë për arbitrazhin e humbur.

Qeveria shprehet se procesi ende nuk ka përfunduar dhe se vendimi është apeluar, por sipas vendimit të arbirazhit, shuma qindra milionëshe duhet të paguhet nga shteti shqiptar.

"Disa banka austriake dhe kompani energjitike kanë marrë së fundmi emaile të pazakonta. Një firmë ligjore i ka pyetur nëse kanë asete të Republikës së Shqipërisë. Arsyeja është një arbitrazh që investitorë italianë kanë nisur kundër Shqipërisë në vitin 2015 dhe kanë fituar. ICSID i ka akorduar 100 milionë euro në prill 2019. Për shkak se qeveria në Tiranë, refuzon të pajtohet me vendimin, asetet shqiptare të cilat nuk janë të mbrojtura nga konventat diplomatike mund të konfiskohen në mbarë botën". thuhet ndër të tjera në shkrimin e medias austriake.

Në shkrim përmendet edhe fakti  se çështja ka të bëjë me lirinë e shtypit, pasi bëhet fjalë për mbylljen e televizion Agon.

"Rasti i Shqipërisë, është veçanërisht pikant, sepse bëhet fjalë për lirinë e shtypit, për kompaninë televizive, Agonset, e cila në opinionin e arbitrazhit, u shtetëzua për shkak se ishte kritike ndaj qeverisë. Shpronësimi ishte 'kulmimi i një fushate politike kundër paditësit", të cilat u vijuan me procedime kriminale të diskutueshme", vijon më tej artikulli.

Prej kohësh Avokatura e Shtetit refuzon të japë informacion lidhur me proceset e Shqipërisë në Arbitrazh, madje presidenti i Republikës, Ilir Meta, është detyruar të kërkoje shpjegime publikisht, për shkak se autoritetet nuk kanë pranuar t'i japin informacion edhe kur presidenca e ka kërkuar këtë zyrtarisht.

Procesi i Bechettit është një rast mjaft i njohur në Shqipëri, që ka bërë bujë, për shkak të shifrës jashtëzakonisht të lartë të cilën qeveria rrezikon të paguajë, e cila do të ishte një katastrofë për buxhetin, veçanërisht duke marrë parasysh edhe pasojat e tërmetit dhe pandemisë. Rasti është i bujshëm edhe për faktin se Bechettit i'u konfiskua televizioni në mënyrë brutale dhe se pati ndërhyrje të politikës.

Kujtojmë, se një nga personat që e ka kërcënuar Bechettin personalisht dhe drejtëpërdrejt, është kryebashkiaku Erion Veliaj, për shkak se Agon Channel, kishte dërguar gazetarë në dasmën luksoze të Veliajt në Gjirokastër.

Media prestigjioze britanike, “The Independent”, ka publikuar edhe një mesazh që Erion Veliaj ka shkruar në formë kërcënimi për drejtuesit e televizionit.

“Por telashet mes qeverisë së Ramës dhe televizionit nisën menjëherë. Në një incident, Erion Veliaj – një aleat i Ramës, i cili tashmë është kryetari i Bashkisë së Tiranë – ishte i mërzitur që Agon mbuloi dasmën e tij luksoze

Unë nuk e kuptoj përse po ma bëni këtë,” shkruajti Veliaj në mesazh. “Po më detyroni të bëhem armiku juaj! E gjithë qeveria do të jetë armike e [Bechettit] pa ndonjë arsye“, thuhet në mesazhin e Veliajt.

/TPZ.al/