TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka qenë e ftuar në emisionin "Opinion", ku ka folur për vaksinën anti Covid-19 dhe hapat që ka bërë qeveria shqiptare për t'a siguruar.
Ministrja nuk mundi të japë një afat të caktuar, se kur do të nisë vaksinimi, por ajo tha se Shqipëria po e përgatit infrastrukturën për të qenë gati për shpërndarjen e saj, sapo të mbërrijë, përfshirë skenarin e mbërritjes së vaksinës së Pfizer, që kërkon temperatura deri në -70 gradë.
Manastirliu sqaroi sërish se Shqipëria është pjesë e makanizmit Covax dhe përveç kësaj ka bërë përpjekje për të lobuar edhe me shtete të BE-së. Sërish, ajo nuk kishte një përgjigje për kohën kur vaksina mund të mbërrijë në Shqipëri, por tha se do të vaksinohet 20% e popullësisë.
"Qeveria shqiptare është angazhuar duke parapaguar për 20% të popullatës, 570 mijë qytetarë, doza përmes instrumentit të Covax. Portofoli i Covax përfshin 10 kompani që zhvillojnë vaksina. Ka mbyllur marrëveshjet me 3 kandidatë potencialë. Qeveria shqiptare ka hyrë në dritaren e parë të aksesit të sigurtë. Covax po negocion edhe me Pfizer dhe Moderna.
Dritarja e parë ka tre kandidatë potencialë dhe kandidatët vijojnë të vlerësohet nga instrumenti i Covax. Jemi angazhuar për të patur vaksinën efikase dhe të sigurtë dhe ta ofrojmë falas.
Ne jemi pjesë e Covax, jemi financues në këtë proces dhe marrim pjesë në negociata. Vlerësohen disa elementë, kostot, vlerësimet që bëhen. Jemi në negociatat e para dhe do të kemi më shumë informacione në fillim të dhjetorit", tha ministrja.
Manastirliu sqaroi se vaksina do të jetë falas dhe tha se të parët që do të vaksinohen, janë punonjësit e shërbimit shëndetësor, mësuesit, policët dhe kategoritë më të rrezikuara.
E pyetur nëse vaksina do të jetë e detyrueshme, ministrja sqaroi se vaksina nuk do të jetë një detyrim për askënd.
Pjesë nga biseda:
Fevziu: Në Gjermani nis vaksinimi në dhjetor. Vendet fqinj nisin në fund të dhjetorit. Ka një datë për ne?
Manastirliu: Qeveria shqiptare, përveç sigurimit të 20% mbulim nëpërmjet Covax, nuk i ka ndalur punët për ofertat dhe negocimet. Ne mund të blejmë jashtë Covax, të negociojmë apo të tërhiqemi nëse gjejmë një opsion më të mirë. Paralelisht kemi punuar në disa drejtime. KE, siç ka informuar presidentja, ka nënshkruar pesë kontrata dhe janë në proces.
Fevziu: Sa do të jetë doza që mund të marrim ne?
Manastirliu: Të parët që do të targetohen janë grupet e riskut. Ne kemi një strategji, për vaksinimin për popullatën, duke filluar nga personeli shëndetësor, mësuesit, policët. Ekspertët tanë kanë vlerësuar që fillohet me 20%. Një ushtrim i mirë është bërë edhe me vaksinën kundër gripit që po jepet falas. Do të varet nga vaksina. Nëse do të jetë e Pfizer, duhen skenarë të tjerë për transportin dhe ruajtjen. Ne kemi strategji, me disa skenarë. Nëse do të kemi atë të Pfizer me -70 gradë, jemi duke investuar. Moderna e ka -20 gradë.
Fevziu: Shpërndarja do të kryhet nga kompania apo nga shteti?
Manastirliu: Edhe për këtë, instrumenti Covax, siguron edhe transportin e sigurtë dhe kushtet që vaksina të jetë efikase.
Fevziu: Keni menduar për vaksinën kineze?
Manastirliu: Ne jemi përfshirë në Covax dhe lobojmë me shtete të ndryshme të BE, Italinë, Greqinë, Gjermani, për të mundësuar aksesin. Mbi të gjitha me KE-në. Shqipëria ka mundësi sot të blejë nëpërmjet prokurimit të përqëndruar në KE, çdo pajisje mjekësore, barna etj.
Fevziu: Kur mund të fillojnë vaksinimet e para? Siç ka thënë Merkel apo Johnson për në dhjetor.
Manastirliu: Ne jemi të gatshëm t'i përgjigjemi në kohë kërkesave, në momentin që vaksina do të jetë e disponueshme për të ardhur në Shqipëri. Kur të kemi dritën jeshile, përpjeket tona nuk do të rreshtin për të aksesuar vaksinën efektive në momentin e parë, prandaj jemi investuar në këtë proces.
Fevziu: Si do të vaksinoni ju, kur nuk keni infrastrukturë?
Manastirliu: Jemi duke punuar për kushtet e zinxhirit ftohës -70%, nëse do të jetë vaksina e Pfizer. Për të tjera, ne i disponojmë teknologjitë. Kemi trashëguar një sistem shumë të mirë të vaksinimit. Kemi mbulim shumë efektiv në vendin tonë.
Fevziu: Si do të vaksinoni 570 mijë vetë? Në shtëpi apo qendra shëndetësore?
Manastirliu: Ka një strategji, një kalendar. Janë disa elementë, varet nga vaksina që do të përzgjidhet. Nëse vjen vaksina e Pfizer, kemi skenarin A. Moderna, skenari B, vaksinim më i përqëndruar në struktura. Nëse do të jetë vaksina 4-8 gradë, është shpërndarje më kapilare.
Fevziu: Për sa kohë kryehet vaksinimi?
Manastriliu: Do të varet nga përqindja e vaksinave që do të vijnë.
Fevziu: Vaksinim do të jetë i detyrueshëm?
Manastirliu: Nuk do të jetë obligativ.
/TPZ.al/