BOTA, 23 July 2026, 16:39

Europa në luftë me zjarret: Me mijëra të evakuuar në Francë, Itali e Spanjë

Europa në luftë me zjarret: Me mijëra të evakuuar në

Në luftë me zjarret dhe temperaturat e larta, Europa vijon të përjetojë orë të vështira. Mbi 10 mijë persona u evakuuan në jugperëndim të Francës, teksa zjarret që po përhapen me shpejtësi kanë djegur rreth 2 mijë hektarë tokë pranë Bordosë e u kanë marrë jetën 2 zjarrfikësve. Vatra e zjarrit ndodhet pranë Gjirit të Arcachonit, një destinacion i njohur turistik në Cap Ferrat, ndërsa një pjesë e madhe e personave të evakuuar janë turistë që po qëndronin në kampe.

Autoritetet spanjolle urdhëruan evakuimin e disa distrikteve rreth Toledos në jug të Madridit. Ndërkohë kryeministri Pedro Sanchez vizitoi një zonë të përfshirë nga flakët në Guadalajara, në veri të kryeqytetit ku më shumë se 30 fshatra u evakuuan dhe u dogjën 32 mijë hektarë tokë.

Rreth 6 mijë zjarrfikës, roje të pyjeve dhe zyrtarë të mbrojtjes civile janë dislokuar rreth Sicilisë pas zjarreve që kanë përfshirë ishullin prej ditësh. Kreu rajonal Renato Schifani tha se 50 vatra po vazhdojnë të digjen pavarësisht mobilizimit të avionëve që hedhin ujë. Po ashtu në Kalabri janë regjistruar më shumë se 160 zjarre. Autoritetet lokale atje dyshojnë se zjarret janë shkaktuar nga zjarrvënës të qëllimshëm.

Zjarret e fundit vijnë në një kohë kur Evropa po përgatitet për një tjetër valë të nxehti, me temperatura që në disa zona pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius. Deri më tani, gjatë vitit 2026, zjarret pyjore kanë përfshirë një sipërfaqe më të madhe në Evropë sesa mesatarja vjetore e dy dekadave të fundit.