TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një valë e madhe zjarresh ka përfshirë jugperëndimin e Francës dhe disa zona të Spanjës, duke detyruar autoritetet të ndërmarrin evakuime masive dhe të kërkojnë ndihmë ndërkombëtare. Në Francë, autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e plotë të gadishullit Cap Ferret, një nga destinacionet më të njohura turistike në bregdetin e Atlantikut, ku rreth 40 mijë persona janë larguar ose janë në proces largimi nga zona.
Dhjetëra mijëra turistë dhe banorë po evakuohen, ndërsa qindra persona janë transportuar me varka drejt zonave më të sigurta në Gjirin e Arcachon. Prefektura lokale ka bërë të ditur se zjarri në rajonin e Girondës ka shkatërruar rreth 10 mijë hektarë tokë, ndërsa është cilësuar nga autoritetet si një “zjarr XXL”. Prefektja Sophie Brocas deklaroi se 53 banesa janë shkatërruar, së bashku me një kamping, ndërsa rreth 2 mijë shtëpi janë shpëtuar falë ndërhyrjes së ekipeve të zjarrfikësve.
Shefi i zjarrfikësve Marc Vermeulen paralajmëroi se zjarri po përhapet me ritme jashtëzakonisht të shpejta, duke krahasuar situatën me zjarret katastrofike të vitit 2022. Sipas tij, thatësira ekstreme ka krijuar kushte shumë më të rrezikshme. “Për disa orë kemi parë një përhapje prej 800 deri në 1 mijë hektarësh të djegur në orë”, tha Vermeulen. Një tjetër vatër e madhe zjarri është regjistruar më në jug, pranë qytetit Biscarrosse në rajonin Landes. Mbi 23 mijë persona janë detyruar të braktisin banesat, kampingjet, një azil pleqsh dhe një kamp veror.
Autoritetet lokale kanë raportuar se të paktën 105 ndërtesa dhe banesa janë dëmtuar ose shkatërruar pjesërisht nga flakët. Temperaturat që arrijnë 36-37 gradë Celsius dhe erërat deri në 50 km/orë po vështirësojnë përpjekjet për shuarjen e zjarreve. Dy zjarrfikës humbën jetën të martën gjatë përpjekjeve për të neutralizuar një zjarr pranë aeroportit të Bordeaux.
Presidenti francez Emmanuel Macron e ka cilësuar situatën si “shumë të tensionuar”, veçanërisht në Girondë. Ndërkohë, në Spanjë, qeveria ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme kombëtare, pasi zjarret kanë dalë jashtë kontrollit në disa zona pranë Madridit. Presidentja e komunitetit të Madridit, Isabel Díaz Ayuso, e përshkroi situatën si “zjarrin më të keq në historinë e rajonit”, ndërsa kryeministri Pedro Sánchez foli për një “situatë dramatike” dhe u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal. Bashkimi Evropian ka aktivizuar mekanizmin e ndihmës dhe ka dërguar në Francë tre avionë dhe dy helikopterë, ndërsa në Spanjë janë angazhuar edhe katër avionë të tjerë për luftimin e flakëve.