AKTUALITET, 4 Shtator 2020, 13:04

Kryemadhi pas takimit me Metën: Ditët e Zotit janë njësoj! Letrën e Yuri Kim duhet ta lexojë PS

Kryemadhi pas takimit me Metën: Ditët e Zotit janë njësoj!


Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi ka folur pas takimit në presidencë me kreun e shtetit, njëherazi bashkëshortin e saj presidentin Ilir Meta për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.

Kryemadhi tha se i ka bërë të qartë presidentit që LSI do të zbatojë çdo vendim kushtetues dhe do marrë pjesë në zgjedhje për të garantuar një qeveri europiane për vendin tonë.

Ajo tha se zgjedhjet duhet të ishin mbajtur para dy vitesh për shkak se shqiptarët kanë nevojë për kushte të mira në standarde europiane.

Pyetur nga gazetarët për kërkesën e kryeministrit Edi Rama për të përjashtuar 2 Majin si datë zgjedhjesh për shkak se përkon me festën e Pashkës, Kryemadhi tha se kjo nuk ka aspak rëndësi për të, duke shtuar se Ditët e Zotit janë të gjitha njësoj.

Fjala e plotë:

Për LSI zgjedhjet duhet të ishin bërë para dy viteve. Shqiptarët duhet të kenë zgjedhje të lira dhe të ndershme. I bëmë të qartë presidentit që LSI do të zbatojë çdo vendim kushtetues dhe do marrë pjesë në çdo proces zgjedhor që do garantojë qeveri europiane.

Sot takimi ishte vetëm për datën e zgjedhjeve dhe besoj se më e rëndësishme se një datë, është që shqiptarët duhet t’i kishin bërë zgjedhjet dy vite më parë, Unë mendoj që një datë e zgjedhjeve do krijonte mundësinë e lëvizjes së gjërave.

Ka me mijëra studentë që po largohen për shkak të varfërisë. Mjekët dhe infermierët janë në kushte të tmerrshme në spital. Janë shumë gjëra që do zgjidhen me bërjen e zgjedhjeve. Sa më shumë të zgjasë këshilli politik për politikën, aq më jetëgjatë do jenë në televizion. Asnjë nuk do flasë për shqiptarët por për imazhin e vet. Sa më shpejt zgjedhjet aq më mirë edhe për ju.

Sot asnjëri nga ne nuk ka pleqëri të mbarë. Fuqia që kanë shqiptarët për të ndryshuar janë garanci për çdo parti politike. Në 92 partia e Punës u përmbys edhe pse ruhej me policë.

Unë mendoj që letra e Yuri Kim është e domosdoshme për ta lexuar jo vetëm ne, por edhe mediat dhe sidomos PS. Në listat e LSI nuk ka pasur ndonjë kandidatë problematikë. Nëse shkojmë drejt listave të hapura do e vendosin qytetarët deputetin.

Ditët e Zotit, janë të Zotit. Këto janë gjëra të vogla.

Sot është një nga vizitat e rradha në presidence. Kryesia vendosi të vija unë pasi është ditë e rëndësishme.