BOTA, 28 Nëntor 2017, 09:34

Kriza në Gjermani; Merkel qeveri koalicioni me SPD-në në fillim të 2018

Kriza në Gjermani; Merkel qeveri koalicioni me SPD-në në fillim

Angela Merkel konfirmoi  gatishmërinë e  partisë së  saj konservatore për të diskutuar  me socialdemokratët për  formimin e një qeverie në Gjermani, duke argumentuar kryesisht pritshmëritë mjaft të mëdha në Evropë kundrejt vendit.

“Jemi të gatshëm për të nisur bisedimet me SPD-në”, deklaroi Merkel pas hapjes së dritës jeshile nga partia e saj CDU për të propozuar nisjen e bisedimeve me SPD, me të cilën ajo ka qeverisur tashmë dy mandate (2005-2009, më pas 2013-2017).

Kjo aleancë është ende e vetmja mundësi për të formuar një shumicë në Dhomën e Deputetëve dalë nga zgjedhjet parlamentare të shtatorit, pas dështimit të një përpjekje për koalicion mes konservatorëve, liberalëve dhe ambjentalistëve.

Merkel premtoi negociata serioze dhe gjithëpërfshirëse që do të çojnë në krijimin e një qeverie.

“Tashmë ka një propozim për bisedime në tryezë dhe ne po e marrim shumë seriozisht”, shtoi kancelarja Merkel.

Konteksti ndërkombëtar dhe evropian duhet në këndvështrimin e tyre të nxisë partitë gjermane për të vepruar shpejt.

“Ka pritshmëri të mëdha në Evropë për çështje urgjente”, vlerësoi ajo.

Evropianët presin që Berlini të vetëpozicionohet dhe të nxjerrë konkluzione kryesisht pas propozimeve të presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, dhe atyre të kreut të shtetit francez për rinisjen e projektit evropian.

Një marrëveshje për koalicionin e ri qeverisës të Gjermanisë nuk pritet të arrihet para janarit të vitit që po vjen, kanë paralajmëruar politikanë e analistë gjermanë.