TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Hamza Çela, autori i dyshuar i vrasjes së 77- vjeçarit pasditen e së hënës në Poliçan, mësohet se ka qenë i dënuar më parë për veprën penale të dhunës.
I dyshuari, 37 vjeç, masakroi me thikë të afërmin e tij të moshuar, Ramazan Çela. Sipas informacioneve nga Policia e Beratit, autori dyshohet se vuan edhe nga probleme të shëndetit mendor, ndërsa prej vitesh kurohej me një sërë medikamentesh.
Punonjësit e Policisë e kanë arrestuar 37- vjeçarin teksa po tentonte të largohej nga vendi i krimit, duke shëtitur në fshat me thikë në dorë dhe duart e rrobat të përlyera me gjak.
Ndërkohë mësohet se Çela është vëllai i një efektiveje të Policisë Rrugore në Berat.
Ai u arrestua nga Policia pak orë pas krimit makabër, ndërkohë që dyshohet se ishte konfliktuar për motive pronësie me viktimën Ramazan Çela, 77 vjeç. Nipi i viktimës është shprehur në media pasi ndodhi ngjarja se e kishte gjetur xhaxhanë e tij me damarë të prerë dhe zemrën të nxjerrë nga vendi.
NGJARJA
Sipas informacioneve të dhëna nga Policia, ngjarja e rëndë në fshatin Jaupas, ku viktimë mbeti një i moshuar, ka si shkak konfliktet e pronësisë. 37-vjeçari Hamza Çela e masakroi me thikë 77- vjeçarin, që e kishte kushëri dhe fqinj në fshat. Burimet thanë se i moshuari kishte marrë plagë të shumta në trup, të shkaktuara nga mjeti prerës, thikë.
Të moshuarit i ishin prerë damarët në qafë, ndërsa sipas nipit, viktimës i ishte nxjerrë edhe zemra jashtë kraharorit. 37-vjeçari, i cili u arrestua pak orë pas krimit të rëndë, është konfliktuar me të moshuarin dhe më pas e ka qëlluar me mjetin prerës.
Ngjarja ka ndodhur në banesën e 77- vjeçarit, i cili nuk ka mundur t’u shpëtojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Hamza Çela, pas krimit që ka tronditur qytetin e Poliçanit, pasi ka vrarë të afërmin e tij, është larguar nga vendngjarja duke mbajtur thikën në dorë dhe në trup ishte i përlyer me gjak.
Burimet thonë se mes autorit dhe viktimës mund të ketë pasur përleshje momentin e ngjarjes, pasi 77-vjeçari ka tentuar të vetëmbrohet. Por përpjekjet e tij ishin të kota, pasi kushëriri i tij e masakroi me thikë deri në vdekje.
Ndërkohë, banorët e fshatit kanë qenë ata që kanë parë autorin me thikë në dorë dhe të lyer me gjak, ku më pas kanë lajmëruar Policinë për ngjarjen. Këta të fundit kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë kapur në flagrancë autorin, i cili mbante në dorë armën e krimit.
Ky i fundit është shoqëruar në Polici, ku edhe është marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e rëndë. Ndërsa gjatë ditës së sotme, ai pritet të dalë para Gjykatës, ku do të njihet me masën e sigurisë.
DËSHMITARËT
Pas krimit makabër dhe arrestimit të autorit të dyshuar, Policia ka bërë edhe shoqërimin e disa dëshmitarëve që kanë parë momentin e krimit apo edhe kur autori është larguar nga vendngjarja. Sipas burimeve nga Policia, ata janë shprehur se e kanë parë 37-vjeçarin të larë në gjak, teksa largohej nga vendi i ngjarjes.
“Po largohej në heshtje me thikën në dorë dhe ishte i lyer në gjak gjithandej. E kemi pyetur se çfarë kishte ndodhur, por është larguar me shpejtësi.
Më pas kemi dëgjuar fqinjët e tjerë që ishte vrarë Ramazani. Kemi njoftuar Policinë dhe i kemi treguar se ku u largua Hamzai. Plaku nuk jetonte këtu në fshat, ka shtëpinë e tij dhe vinte ndonjëherë për t’u kujdesur për bahçen e tij. Jetonte në Poliçan me nipërit e tij, pasi ishte i vetëm”, janë shprehur banorët e fshatit ku ndodhi ngjarja e rëndë.
Ndërsa janë shprehur se autori njihet në zonë si problematik, pasi edhe më herët është dënuar për dhunë./ Panorama