AKTUALITET, 13 Shtator 2019, 09:28

Kreu i gjykatës ‘shpëton’ edhe në KPA, konfirmohet në detyrë

Kreu i gjykatës ‘shpëton’ edhe në KPA, konfirmohet


Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur që të rikonfirmojë në detyrë kreun e gjykatës administrative të Tiranës Gentian Medja, pavarësisht apelimit që i bëri Komisioneri Publik vendimit të dhënë disa muaj më parë në KPK.

Në seancën e 17 qershorit, Komisioneri Publik kërkoi para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të rivlerësojë gjyqtarin Gentjan Medja për kriterin e aftësive profesionale në bazë të një metodologjie të re dhe të detajuar të propozuar prej atij vetë.

Kërkesa e Ballhysës u kundërshtua si antikushtetuese dhe përtej detyrave që i ngarkon ligji KPA-së.

Medja u konfirmua në detyrë në korrik 2018 pasi doli i përshtatshëm në të treja kriteret, por vlerësimi profesional për të shkaktoi debate.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pati konkluduar se vendimet e Medjas të shqyrtuara si pjesë e rivlerësimit profesional, kishin mangësi, përfshirë mosrespektim të afateve të gjykimit, moszbardhje të vendimeve dhe urdhrave të gjykatës si dhe referenca të gabuara të ligjeve.

Këto probleme u justifikuan nga Medja para Komisionit, si rrjedhojë e mbingarkesës anormale në punë të gjyqtarëve të gjykatave administrative.

Duket se në të njëjtën linjë me pretendimet e gjyqtarit ka qenë dhe vendimi i sotëm i dhënë nga trupa gjykuese e KPA-s.