BALLKAN, 25 Tetor 2017, 13:37

Kosova të punojë më shumë për sundimin e ligjit dhe dialogun me Serbinë

Kosova të fokusohet dhe të punojë më shumë në përmbushjen e detyrimeve të saj në dy fusha kryesore, sundimin e ligjit dhe dialogun me Serbinë, i kërkoi të premten Kryesuesi i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, McAllister​ ministres së Integrimit Dhuarta Hoxha. Gjatë një takimi në Parlamentin Evropian në Strasburg mes ministres Hoxha dhe McAllister, u diskutua për procesin e dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë si pjesë e axhendës eurointegruese. Ministrja Hoxha, vuri në dukje zhvillimet aktuale në vend dhe rajon, si dhe arritjet, sfidat dhe prioritetet qeveritare si procesi integrues, zbatimi i MSA-së, zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi rajonal. “Kosova është e përkushtuar që të përmbushë të gjitha detyrimet që dalin nga MSA-ja, por edhe detyrimet e tjera që garantojnë përshpejtimin e procesit integrues, por edhe përfshirjen në planet e zgjerimit”, theksoi Hoxha. McAllister u shpreh se Kosova është pjesë e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor. Ai kërkoi nga ministrja Hoxha që Kosova të fokusohet dhe të punojë me shumë në përmbushjen e detyrimeve të saj në dy fusha kryesore, sundimin e ligjit dhe dialogun me Serbinë si dhe çështjet tjera që kërkohen nga BE-ja, në mënyrë që Kosova të tregoj përkushtimin dhe seriozitetin e saj drejt perspektivës evropiane.

Me këtë rast, euro deputeti McAllister, që i përket grupit të Partive Popullore në Parlamentin Evropian, i cili vjen nga Berlini, i ofroi ministres Hoxha përkrahje në procesin integrues të Kosovës, duke kërkuar më shumë angazhim nga institucionet e Kosovës.