AKTUALITET, 18 Prill 2020, 09:33

Koronavirusi shkakton 154, 295 viktima në të gjithë botën dhe mbi dy milionë të infektuar

Koronavirusi shkakton 154, 295 viktima në të gjithë botën


COVID-19 po merr jetë njerëzish çdo ditë. 154,295 persona kanë humbur jetën deri më tani në të gjithë botën nga ky virus. Ndërkohë, janë të infektuar 2,251,768 persona dhe betejën me COVID-19 e kanë fituar 574,383 të tjerë.

Gjatë 24 orëve të fundit situata në Kinë paraqitet e qetë, pasi janë shënuar vetëm 27 raste të reja dhe asnjë person nuk ka humbur jetën.

Vendin e parë në botë për numrin më të madh të viktimave, e zë Amerika. Në SHBA deri më tani janë shënuar 37,175 viktima dhe rezultojnë të infektuar 710,272 të tjerë. Virusi po bën ‘kërdinë’ edhe në Europë.

Numri i viktimave në Itali ka shkuar në 22,745, ndërsa në Spanjë kanë humbur jetën 20,002 qytetarë. Edhe Franca është në luftë me koronavirusin, pasi në këtë shtet 18,681 persona kanë humbur betejën me COVID-19.

Situata paraqitet më mirë në Gjermani, pasi numri i viktimave është më i ulët, 4,352.

Po kështu, COVID-19 është përhapur shumë edhe në Ballkan. Çdo ditë rritet numri i të prekurve në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Greqi. Në Shqipëri janë infektuar 539 persona dhe 26 pacientë kanë humbur jetën.